Që pika e fundit të mos mbushë gotën e urrejtjes

21/08/2010

Dr. Igli Tashi

Është e qartë dhe prej shumë vitesh tanimë është e pritshme – në verë vijnë ATA, siç i quajnë rëndom në Shqipëri “xaxiqë” apo “pepino” për t’u çmallur me familjet, për të pushuar nja dy-tri javë pa fré…dhe natyrisht për të ekspozuar sadopak “suksesin” e tyre apo dhe idetë që kanë krijuar për këtë Shqipërinë tonë gjatë gjithë këtyre muajve mungesë. Një ndër ta ishte dhe Aristoteli… një ndër ta isha dhe unë… dhe që të dy për pak sa nuk u takuam në Himarën e bukur.

Me vete, përveç valixheve të mbushura me rroba dhe dhurata, kokës së mbushur me halle dhe frustracione… sjellin dhe problematika që diku-diku krijojnë divergjenca ndërmjet tyre dhe “autoktonëve”. Këta të fundit, në tokën me halle të Shqipërisë, kalojnë jo vetëm ditët gazmore të verës, po dhe ato të vjeshtës me shi e baltë, të dimrit të ftohtë e pa ngrohje, të pranverës me lule dhe pluhur.

Ndoshta të dy u nisëm për në këtë vend jo vetëm për bukurinë dhe detin Jon, po dhe për të ekspozuar dhe vërtetuar “idetë shabllon” që kishim në mendjet tona. Unë bëra shumë kujdes që në valixhen time, e vetmja gjë që të mos mungonte, të ishte fanella e kombëtares me shqipen e zezë në gjoks, pasi kisha një merak të madh ta vishja në “Himarën e Bollanos”. Ndoshta si unë dhe Aristoteli, me gjithë të drejtën që i jepte perëndia dhe Kushtetuta e Shqipërisë, shkoi në “Himarën e Bollanos” të fliste gjuhën e mëmës pa frikë dhe të vërtetonte se grekë e shqiptarë, si gjelat në pullaz, çukitin pendët e zeza dhe plot pluhur rrugësh, për të sqaruar se kush është i pari i vendit.

Në atë javë që ndenja unë, u kënaqa në shtëpinë e bahçen e himarjotit mikpritës Pano, vajza ime u miqësua me mbesën e shtëpisë, paçka se nuk flisnin të njëjtën gjuhë. Të dyja komunikonin me njëra–tjetrën në gjuhën më të ëmbël, atë të të qeshurave të fëmijëve dhe bënin garë kush e kush t’i bënte sa më shumë dhurata njëra-tjetrës. Eh, ç’hoqën kumbullat e bahçes së himarjotit mikpritës ato ditë…

Folëm e diskutuam ato net të nxehta për të tëra ato gjëra që mund të kishte diskutuar dhe Aristoteli me të tjerë. Himarjoti mikpritës me theksin e tij karakteristik dhe unë me bluzën time kuqezi, pa mpleksur në këtë mes, sojin e Bollanove, Duleve, Janullatosve e Kumustaqëve, ashtu siç kemi folur me njëri-tjetrin dhe më përpara e do flasim në jetë të jetëve.

U ktheva këtu ku jetoj me dëshirën e madhe për t’u rikthyer në Himarë, për t’u larë prapë me ujin e kulluar të Jonit dhe për të shijuar prapë kumbullat e mikut himarjot.
Me keqardhje nga larg pashë se ç’ndodhi: një djalë në moshën time humbi jetën! Aksident, vrasje me apo pa paramendim: e rëndësishme është ky djalë nuk jeton më dhe një nëne i dhemb zemra.

Dhe si ato grabitqarët në qiell, soji i Bollanove e Duleve, Janullatosve dhe Kumustaqëve iu sulën trupit të Aristotelit për përfitimet e tyre meskine dhe të ulëta. Ngritën zërin në qiell për të dëgjuar këta në tokë, se Aristotelin, ndjesë pastë, e vranë barbarët shqiptarë se foli greqisht. Pinjollët (siç pretendojnë!) e shtetit që shpiku demokracinë, e shkelën atë me të dyja këmbët, që t’i hidhnin pikën e fundit gotës së urrejtjes e të derdhnin nëpër rrugë lumin e gurëve të ndarjes. E pse? Për ca vota më shumë, për ca deputetë me shumë, për ca kredibilitet e rehat më shumë.
Tarafi i tyre dhe në varr e shoqëroi Aristotelin me këngën e urrejtjes, duke sharë e mallkuar këta “shqiptarë derra vrasës”. A thua këtij tarafi i ka rënë rruga ndonjëherë nga Qafa e Kërrabës për të parë e mësuar hallet e Flamur Pislit? A thua kryepeshkopi grek i kishës sonë shqiptare të jetë lutur për shpirtin e Gramoz Palushit që t’ia lehtësonte sadopak dhimbjen nënës së tij? A thua këtij Kumustaqit, politikanit nga vendi i demokracisë, t’ia kenë prishur gjumin klithmat e emigrantëve shqiptarë në birucat mesjetare të policisë greke të shekullit të 21-të? Këta që predikojnë qytetërimin dhe merakosen për raportet “super-ekzakte” të KE-së, sa herë ju vjen rasti, e heqin këtë maskë të fisshme, për të nxjerrë në dritë fytyrën dhe ëndrrat e tyre mesjetare, më të errëta se rrasa e zezë e kryepeshkopit me mjekër të bardhë. Dhe padashur, të verbuar nga injoranca e tyre, marrin pozicione qesharake duke mos pasur frikë nga diskretitimi total. Në këto raste në gjuhën tonë kemi një shprehje që thotë “Guxim prej budallai”. Nëse ju shkon për shtat ky epitet, le ta gëzojnë.

Principi themelor i demokracisë që na vjen nga vendi nga i cili thotë se e ka origjinën dhe Bollanoja me faqet e kuqe e të shëndetshme, thotë se liria ime mbaron atje ku fillon liria e tjetrit. Pra demokraci do të thotë TOLERANCË.

Demokracinë, vendi nga i cili na frymëzohet dhe Dulja thatanik, e paraqet si një peshore dhe kjo peshore kurrsesi nuk mund të vërë në kandar as Aristotelin, as Flamurin e as Gramozin. Kjo demokraci i dënon barbarët kudo që të ndodhen, si buzë Jonit ashtu dhe buzë Egjeut, me forcën e ligjit dhe të arsyes, duke përdorur një standard për të gjithë.

Dhe ai që mundohet të minojë tolerancën, të hedhë në erë urat lidhese apo të bllokojë rrugët, të fshehë apo manipulojë gurët e peshores së drejtësisë, mund të meritojë vetëm një epitet: atë të FAJTORIT.

Dhe që kjo të mos ndodhë duhen njerëz me integritet, njerëz që veprojnë në emër të zgjedhësve e jo të interesave koalicioniste, në emër të ligjit e jo të interesave meskine, njerëz që kanë zemër të ndiejnë e jo kandar të peshojnë. Ekuilibrat ballkanikë janë të brishtë dhe çdo padrejtësi ka kosto të konsiderueshme. Prandaj gjithsecili të gjykojë pjesën e fajit që i takon, duke lënë mënjanë klithmat e Mesjetës dhe duke mos përdhosur kujtimin e atyre që nuk jetojnë më në këtë botë.

Perëndia në ATË botë ua dhëntë hakun të gjithëve ashtu siç e kanë merituar… apo jo zoti Kryepeshkop? Sepse në KËTË botë sundon ligji!
Fatmirësisht himarjotë si Panoja që më priti mua e shumë të tjerë këtë vit ka shumë, e unë prapë do shkoj në Himarë, u pëlqen apo jo Bollanove me Dulet, Janullatosve me Kumustaqët. Dhe do t’ua kujtoj sa herë ta harrojnë, se ajo tokë, ai det, ato male janë dhe të miat dhe nuk ka klithma mesjetare, urrejtje apo gurë që të më ndalojnë të shkoj.

Autori: Ekspert në çështjet e administrimit të sigurisë, Universiteti i Lozanës, Zvicër

Published in: on 25/08/2010 at 07:20  Leave a Comment  

The URI to TrackBack this entry is: https://iglitashi.wordpress.com/2010/08/25/qe-pika-e-fundit-te-mos-mbushe-goten-e-urrejtjes/trackback/

RSS feed for comments on this post.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: