Shërbim informativ apo shërbim informacionesh në mbrojtje të sigurisë kombëtare?

nga Dr. Igli Tashi*

Debatet mbi ndryshimet në ligjin mbi Shërbimin Informativ kanë sjellë edhe njëherë përplasjen “parimore” të aktorëve politikë kryesorë. Si gjithmonë këtu qëndron dhe një nga skutat e mëdha ku minohen çdo herë iniciativat e ndërmarra për të shumëpërfolurat reforma, që do të sjellin të shumëdëshiruarin përparim. Njëra palë politike propozon, pala tjetër refuzon, të dyja palët sjellin argumente dhe mjete presioni që propozimet apo refuzimet e tyre të merren parasysh. Si përfundim… ca figura konsensusi pa formë, pa identitet, të pafuqishme dhe rrjedhimisht të paafta. Deri këtu asgjë të re, përveçse strategjisë politike normale në një kontekst si ky i Shqipërisë, ku sharjet, fyerjet dhe akuzat më të rënda konsiderohen një “lojë politike” nga aktorët, të cilët miqësohen shpejt me njëri-tjetrin në përputhje me interesat e tyre. Shembuj? No comment!

Prandaj duke e devijuar këtë praktikë “gërthitësish” vendosëm që për këtë debat, jo pak delikat dhe thellësisht profesional, t’u referohemi shembujve praktikë apo praktikës së analizës thelbësore mbi vlerën e shtuar të projektit. Të analizosh vlerën e shtuar (apo shpresën mbi këtë vlerë të shtuar) në rastin e një projekti, është një praktikë shumë e njohur, sidomos në fushën e financës, ku aktiviteti i përditshëm është ai i administrimit të rreziqeve. Paraleli nuk duhet të merret si shabllon, pasi njerëzit e financës (ashtu si dhe ata të sigurisë) në të vërtetë në aktivitetin e tyre të përditshëm administrojnë rrezikun, por ama financierët, në listën e rreziqeve për t’u administruar, nuk llogarisin “probabilitet për humbje jetë njerëzish”. Për një shërbim informativ tradicional “humbja e jetëve të njerëzve” ngelet një nga prerogativat kryesorë (në letër?) në qoftë se konsiderojmë si pasuri më të madhe të një kombi shtetasit e tij. Po t’u referohemi shembujve praktikë dhe, meqë sapo lamë pas edhe muajin mars mbushur me kujtime të hidhura (si ai i 1997-s ashtu dhe ai i 2008-s) që implikojnë në të gjitha mënyrat dhe nga të gjitha pikëvështrimet Shërbimin Informativ të Shtetit (SHISH), le të vëmë dy versionet e ligjit, aktualin dhe atë të ndryshuarin në lidhje me ligjin për Shërbimin Informativ dhe le të mundohemi t’u përgjigjemi pyetjeve të mëposhtme, duke u mbështetur në analizën tonë:

  1. A ishte Gërdeci një çështje e sigurisë kombëtare?
  2. Cili nga dy versionet do të kishte mundur të parandalonte Gërdecin?

Në opinionin tonë, Gërdeci përmbledh të gjitha elementet e një ngjarjeje që ka të bëjë thellësisht me sigurinë kombëtare. Le t’i lëmë mënjanë diskutimet politike në lidhje me të, duke lënë në këtë mënyrë të qetë dhe drejtësinë që po merret me këtë çështje, dhe le të bëjmë një paralele me ngjarjen e 11 shtatorit, shkatërrimin e kullave binjake dhe vdekjen e pothuajse 3000 qytetarëve amerikanë të pafajshëm. Ky përshkrim, pak a shumë telegrafik, bëri që ky akt, edhe pse provat e prekshme u dogjën bashkë me avionët që ranë, të konsiderohej si akt terrorist dhe të ishte në themelet e një tjetër epoke, asaj të pas 11 shtatorit, me të mirat dhe të këqijat që erdhën pas saj. Po në rastin tonë? Edhe pse Gërdeci si në shifra proporcionale me popullsinë ashtu dhe në traumën që shkaktoi normalisht duhet të mbarte të njëjtën rëndësi, kjo ngjarje nuk shkaktoi asnjë ndryshim rrënjësor në mendësinë dhe rrjedhën e ngjarjeve në lidhje me sigurinë e shtetasve shqiptarë. Përveç ca njerëzve me përgjegjësi ekzekutive që janë mbrapa hekurave (por që deklarohen totalisht të pafajshëm), ata me përgjegjësi politike i ngrohin akoma kolltukët e tyre të pushtetit. Dhe vijmë këtu te strategjia e pingpongut, aq e përdorur në rastin kur duam “t’i lodhim qafën spektatorit”.

Në një situatë kaq të koklavitur, të vetmit që duhet të disponojnë mjetet për të zgjidhur lëmshin dhe për të dhënë informacione konkrete mbi ngjarjen, ngelen bashkëpunëtorët e shërbimeve të sigurisë dhe veçanërisht ata të SHISH-it. Realiteti tregoi që informacioni mungoi, nuk mundi të jepej apo thjesht nuk mundi të mblidhej. Këtu qëndron dhe “thembra e Akilit” e Shërbimit Informativ, i cili si në rastin e diskutuar, ashtu edhe në atë të marsit ’97, nuk arriti objektivin e tij primar, pra atë të mbrojtjes së interesave të shtetit dhe sidomos atë të mbrojtjes së jetës së qytetarëve të tij. Këtu arrijmë në konkluzionin e pyetjes së parë në lidhje me domosdoshmërinë e ristrukturimit të SHISH-it. Ky konkluzion sjell para skenës një tjetër problematikë mbi faktin se: Cila mund të jetë strategjia më e mirë për të bërë ristrukturim që shërbimi i ardhshëm të jetë i aftë të përmbushë detyrën kryesore të tij? Kjo do të varet nga vizioni që do të konkretizohet në lidhje me një shërbim sigurie. Për këtë, tri alternativa na paraqiten, të cilat do e konsiderojnë shërbimin e sigurisë si një:

  1. shërbim informacionesh i fokalizuar në mbledhjen e informacionit;
  2. shërbim informativ i fokalizuar në analizën e informacionit;
  3. shërbim në mbrojtje të sigurisë kombëtare si një organ shfrytëzues të informacionit.

Është më se e qartë pra, që alternativa e tretë do të ishte më e mira nëse qëllimi i shërbimit do të ishte parandalimi i ngjarjeve si ato që cituam më sipër. Zgjedhja e kësaj strategjie e bën organin e sigurisë një organ esencialisht autonom (duhet t’i shmangemi idealizmit të një organi totalisht të pavarur, i cili rrallëherë ekziston në realitet), që duke pasur si kornizë parimet universale duhet të veprojë sipas një strategjie të gjykuar si optimale prej tij. Kjo nuk nënkupton një shërbim të stilit “shtet brenda shtetit”, por një organ që duhet të jetë i monitoruar nga organizma kompetentë për metodat e përdorura, si dhe cilësinë e rezultateve të prodhuara. Këtu qëndron për mendimin tim dhe një problem që asnjëri nga versionet nuk e përmirëson. Varja direkte prej ekzekutivit (duke pasur parasysh dhe specifikat dhe historikun e organit në fjalë), do të thotë që strategjia e organit do të bëhet duke u bazuar në përkufizimin “pushtetar” të sigurisë kombëtare.

Në përgjithësi shërbimet inteligjente si organe shfrytëzuese të informacionit duhet të vihen në majë të piramidës së sigurisë, gjë që nxjerr edhe një herë në pah nevojën e autonomisë substanciale. A arrihet kjo nga projektligji? Po të marrim si shembull pikën ç të nenit 5, shohim që garancitë për një problem të ndjeshëm, atë të nakatosjes “SHISH–Politikë”, do të vijnë nga drejtori i shërbimit, i cili në rastin më të keq duhet të dalë kundër shefit të tij direkt, kryetarit të ekzekutivit. Kjo është një nonsense, duke pasur parasysh se po i njëjti drejtor shkarkohet dhe emërohet nga Presidenti, por me propozimin e Kryeministrit duke marrë mendimin e komisionit parlamentar kompetent. Për mendimin tim kemi të bëjmë këtu me një “tualet të lehtë” që mundohet ta paraqesë drejtorin si një produkt optimal dhe konsensual. Në rastin e shërbimeve të sigurisë, figura të tilla hemafrodite dhe pa një formë të prerë përbëjnë në vetvete një rrezik më vete. Shërbimet e sigurisë kërkojnë ide të qarta, figura të spikatura dhe operacionale që janë të afta dhe mbi të gjitha kanë hapësirën e nevojshme për të marrë vendime iminente, që nuk kanë luksin të disponojnë kohën e nevojshme për konsensus.

Duke ritheksuar nevojën e një shërbimi esencialisht autonom, si dhe specifikën shqiptare, ky drejtor që garanton duhet të emërohet apo varet nga ai organ që është përgjegjësi kryesor dhe i fundit i sigurisë kombëtare. Fatmirësisht, në qoftë se konsiderojmë rastin e shërbimit në mbrojtje të sigurisë kombëtare, sistemi ynë përcakton një figurë qendrore përgjegjëse për këtë aspekt, atë të Presidentit. Fatkeqësisht kjo figurë po dobësohet gjithnjë e më shumë, (për ironi të fatit ky dobësim vjen gjithashtu si një produkt konsensual), duke e delegjitimuar rolin që duhet të përmbushë. Çfarë na ngelet?

Ndoshta një organ kolegjial, i cili garanton asnjanësi duke u nisur nga përmbajtja dhe struktura e tij dhe jo nga garancitë në letër. Një organ i tillë duhet të përmbledhë në gjirin e tij të tria institucionet e përmendura si në ligj ashtu edhe në projektligj (ndoshta dhe të tjera), me ndryshimin fondamental që në gjirin e këtij kolegjialiteti çdo institucion, si Presidenti, si ekzekutivi ashtu dhe përfaqësuesit e Parlamentit do të kenë të njëjtën peshë. Në këtë mënyrë mund të arrihet, me pak bonsense, në një zgjidhje unike, jo si një konsensus për interesat e ditës (të jap prokurorin, më jep SHIK-un) po si rezultat i një analize dhe kërkesash globale të parashtruara nga ky kolegjialitet. Ky do të përbëjë edhe elementin e parë të garancisë. Elementi i dytë i garancisë vjen si rrjedhojë e një përkufizimi sa më të gjerë të mundshëm të asaj çfarë do të konsiderohet si problematikë e sigurisë kombëtare. Një kolegjialitet i tillë, jo vetëm që do të mundet të sigurojë autonominë esenciale të shërbimit nëpërmjet legjitimitetit të prodhuar, por do të mundet dhe të kanalizojë më së miri kuptimin më të drejtë të sigurisë kombëtare. Autonomia dhe legjitimiteti do të bëjnë që nene, si për shembull neni 9 i projektligjit, të mos jenë të nevojshëm duke mos reduktuar kështu aftësinë e organit të shërbimit të sigurisë në mbledhjen e informacionit. Duhet ta themi hapur që të dyja versionet, në mënyrën dhe specifikën e ndërtimit të tyre, kanë një vizion reduktues dhe lehtësisht manipulues të shërbimit të sigurisë kombëtare, duke e konsideruar atë thjesht si një si burim informacioni pa specifikuar më të rëndësishmen: mënyrën, modelin, qëllimin dhe përgjegjësinë e përdorimit të informacionit.

Nga sa analizuam më sipër mund të konkludojmë që mendësia e strukturimit, por ç’është më e rëndësishmja vizioni për shërbimin në mbrojtje të sigurisë kombëtare nuk ka ndryshuar aspak. Edhe ky projektligj që i propozohet legjislatorit mbart të njëjtat mangësi si gjithë paraardhësit e tij, duke e konsideruar atë një mjet në duart e pushtetit dhe interesave të konsumit të përditshëm. Dalja nga ky vizion dhe nga kjo skemë shterpë kërkon që në strukturimin e shërbimit përgjegjës për mbrojtjen e sigurisë kombëtare duhet marrë në konsideratë fakti që konsensusi nuk është sinonim as i asnjanësisë, dhe as i profesionalitetit. Në këtë mënyrë pyetjes sonë të dytë, nëse një shërbim në mbrojtje të sigurisë kombëtare, i konceptuar sipas ligjit ekzistues apo projektligjit “me tualet të lehtë”, është i aftë të parandalojë gërdecëra të ardhshëm mund t’i përgjigjemi me JO!

*Ekspert në çështjet e administrimit të sigurisë – Universiteti i Lozanës (Zvicër)
Published in: on 16/04/2010 at 11:24  Leave a Comment  

Leave a comment