Tregu i pamaturuar. Një vështrim mbi përvojat e vendeve të zhvilluara për përgjegjësinë penale të personave juridikë

nga Igli TASHI

Në vazhdën e luftës kundër korrupsionit dhe informalitetit në ekonominë shqiptare, qeveria ka marrë kohët e fundit një nismë duke propozuar një projektligj, i cili ngarkon personat juridikë me një përgjegjësi penale. Interesante në diskutimin e një analize kosto-përfitime të zbatimit të këtij ligji në ekonominë shqiptare janë argumentet dhe motivimi, që ka pasur qeveria për të hedhur në treg një nismë të tillë. Argumentet dhe motivimi do të munden të na japin sinjalet e para mbi cilësinë e zbatimit të ligjit, si dhe mbi cilësinë dhe ndikimin e tij në ekonominë shqiptare. Pa asnjë dyshim një nismë e tillë do të ketë një ndikim të madh në mënyrën e organizimit dhe të funksionimit të ndërmarrjeve të thjeshta dhe tregtare. Ky ndikim i rëndësishëm vjen për 2 arsye:

-E para, ka të bëjë me kapacitetet e ndërmarrjeve shqiptare për të qenë konform këtij ligji dhe

-E dyta, mbi një skepticizëm pak a shumë legjitim në kapacitetin e organizmave shtetërore në zbatimin e ligjeve të një rëndësie të tillë.

Përsa i përket këtij ligji, në komunikimet publike nga ana e ideatorëve, argumenti kryesor i përdorur është domosdoshmëria për t’iu përgjigjur një kërkese këmbëngulëse nga ana e institucioneve ndërkombëtare. Kjo lloj përvoje ekziston dhe në legjislacionet perëndimore dhe fakti që një ligj i tillë ekziston na detyron edhe ne të përshtasim legjislacionin tonë në këtë sens. Pra, në një mënyrë më të përmbledhur argumenti është: të tjerët e kanë bërë dhe ne duhet ta bëjmë gjithashtu. Atëherë mënyra më e mirë për të kuptuar forcën dhe dobësitë, argumentet pro dhe kundër ligjit, është studimi i përvojës së legjislacioneve të cilat e kanë zbatuar prej shumë kohësh konceptin e përgjegjësisë penale të ndërmarrjeve.

Para çdo lloj argumenti duhet të theksojmë faktin që përgjegjësia penale për personat juridikë është një koncept që ekziston, por kjo nuk është pjesa më e rëndësishme e problemit. Diskutimet e shumta të specialistëve, përsa i përket këtij koncepti, qëndrojnë më shumë në ashpërsinë e zbatimit të ligjit dhe mbi të gjitha, mbi faktin se cili nga subjektet juridikë (personi fizik, apo juridik) do të jetë objektivi i parë i ligjit. Këtu kemi ndryshime të mëdha ndërmjet konceptimeve jo vetëm të legjislacioneve në të dyja krahët e Atlantikut, por dhe ndërmjet legjislacioneve në gjirin e demokracive europiane.

SHBA, MB zbatuan të parat këtë ligj

Gjeneza e konceptimit dhe e zbatimit të një ligji që parashikon një përgjegjësi penale për korporatat, erdhi si fillim i industrializimit dhe shfaqjes së korporatave gjithnjë e më shumë të fuqishme, të afta të kishin një pjesë të madhe të tregut. Kjo gjë u jepte një fuqi shumë të madhe në ekonominë e vendit. Mendoni rastin e korporatës Ford në fillimin e shekullit të XX-të në SHBA dhe rolin e saj në ekonominë amerikane. Industrializimi dhe shfaqja e korporatave të mëdha në tregun anglofon (SHBA, Kanada, Mbretëria e Bashkuar-MB) është dhe arsyeja pse këto vende janë të parat që kanë ideuar dhe zbatuar ligje të tilla. Herën e parë, kur përgjegjësia penale e korporatave është vënë para ligjit, e gjejmë në vitin 1842 në SHBA. Natyrisht, në këtë epokë dhe deri në ditët tona debati është gjithmonë i hapur. Pas një periudhe vakumi edhe në shtetet skeptikë europianë, kjo praktikë filloi të zbatohej. Kjo erdhi si rrjedhojë e një bashkëpunimi gjithnjë e më shumë të zgjeruar ndërkombëtar të korporatave, që solli një përqendrim të fuqisë ekonomike me një dominim të shumëkombësheve. Për një sërë arsyesh, këta faktorë strukturorë të shoqëruar me një rritje të krimit ekonomik sollën domosdoshmërinë për vendet e zhvilluara të vinin gjithnjë e më shumë në lojë përgjegjësinë penale të korporatave. Në këtë pikë doktrina si ajo juridike, ashtu dhe ajo ekonomike duket se janë pak a shumë dakord. Thembra e Akilit është përkufizimi i përgjegjësisë direkte apo jo të korporatës në raport me individin që ka shkelur efektivisht ligjin. E thënë më thjeshtë, a do të sulmojmë që në fillim korporatën paralelisht me individin shkelës të ligjit, apo do të përdorim atë që specialistët e fushës quajnë “përgjegjësia në kaskadë” (vicarious liability). E rëndësishme në këtë ndarje konceptesh është që në funksion të përgjegjësisë (direkte apo në kaskadë) korporata dhe administratorët e saj duhet të vënë në jetë strategji të ndryshme me kosto dhe burime të ndryshme. Prandaj, në këtë aspekt zbatimi dhe raportet shpjeguese të ideatorëve janë parësore për administratorët e korporatave, përgjegjës të ideimit të politikave strategjike të korporatës.

Në përgjithësi, kushti i nevojshëm që një korporatë të vihet para përgjegjësisë penale është që një vartës i saj të ketë thyer ligjin dhe që kjo thyerje ligji të jetë bërë në favor të korporatës. Këto dy kushte duhet të përmbushen në mënyrë solidare me qëllim që përgjegjësia penale e korporatës të vihet para ligjit. Kjo logjikë është shumë e përhapur në literaturën amerikane dhe ideja mbrapa është që aktiviteti ekonomik në strukturën e sotme të tregut drejtohet nga një numër jo shumë i madh korporatash, dhe si të tilla ato duhet të jenë përgjegjëse për veprimtarinë jo-ligjore që vjen si rezultat i aktivitetit të tyre.

SHBA

Në SHBA përsa i përket zbatimit të ligjit, jurisprudenca, doktrina dhe praktika nisen nga një ndarje e aktivitetit kriminal në 3 grupe:

-Grupi i parë përmbledh të gjitha aktet kriminale të rënda e të dënuara penalisht, që kanë lidhje me integritetin fizik të personave si p.sh., cilësia e produkteve të hedhura në treg apo financimi i terrorizmit. Për këtë grup korporata mund të vihet para ligjit për një akt të kryer nga një vartës i saj nëse ky i fundit ka vepruar sipas një urdhri direkt të organeve apo personave drejtues të korporatës.

-Grupi i dytë përmbledh aktet e dënuara penalisht, por me një karakter më shumë tregtar sesa atë të integritetit. Për të vënë para përgjegjësisë penale korporatën duhet që dy kushte të plotësohen:

Së pari, vartësi ka kryer aktin në favor të korporatës;

Së dyti, korporata nuk ka treguar përgjegjësinë e duhur për parandalimin e fenomeneve të tilla.

-Groupi i tretë ka të bëjë me aktet e dënueshme penalisht me karakter tregtar, në përmbushjen e të cilave marrëveshja e korporatës është kusht i nevojshëm. Në këtë rast korporata është e dënueshme penalisht, pa pasur nevojë të analizojmë mekanizmat e parandalimit brenda institucionit.

Ideja bazë është që një organizëm me personalitet juridik dhe një farë rëndësie në tregun vendas apo ndërkombëtar duhet të ketë në planet e tij strategjike politika të qarta ndaj luftës kundër krimit dhe jo vetëm kaq. Ai duhet të parashikojë dhe mekanizma vlerësimi mbi efikasitetin e këtyre politikave për të përballuar efektet e veprimeve kriminale në gjirin e saj. Kjo ndodh sepse numri i madh i individëve që punojnë për korporatën dhe që munden të angazhojnë përgjegjësinë penale të saj, bën që elementi kriminal të ndihet anonim. Kjo sjellje e individit kriminal është e njohur tashmë dhe korporata duhet të marrë masa. Pra, nuk ka justifikim. Por këto masa mundet të kenë një efekt pervers pasi korporata duke vepruar në një ambient ligjor të tillë nuk ka interes të procedojë direkt elementin kriminal pasi për disa akte kriminale përgjegjësia e saj angazhohet direkt e në paralel me atë të individit. Në këtë aspekt, sistemi i administrimit të rrezikut (risk) dhe funksioni i administratorëve të korporatës është parësor në gjetjen e ekuilibrave në politikat dhe masat parandaluese të korporatës.

Australi

Në të njëjtin drejtim shkon dhe përvoja australiane përsa i përket përgjegjësisë penale. Procedimi penal i korporatave (personave juridikë) në Australi shikohet si një mjet për të testuar “kulturën tregtare” të korporatës. Me kulturë tregtare nënkuptohet sjellja, politika, rregullat apo praktikat ekzistuese të drejtuara, nxitura dhe të vëna në zbatim nga korporata. Nocioni i kulturës tregtare të ndërmarrjes është shumë i rëndësishëm në strategjinë administruese të korporatave perëndimore pasi kjo informon mbi qëllimet dhe përgjegjësitë që korporata i ka vënë vetes.

Pak më ndryshe është konceptimi europian i përgjegjësisë penale të personave juridikë. Por megjithatë duhet thënë që ky konceptim ndryshon nga një vend europian në tjetrin.

Franca

Franca, për shembull, përcakton në ligjin e saj në një mënyrë strikte thyerjet e ligjit që munden të venë para përgjegjësisë penale korporatën. Këtu bëjnë pjesë, prezantimi i kontabilitetit fiktiv, dividentët fiktivë, mbivlerësimet spekulative të aktiveve të korporatës, abuzimi me fondet sociale, siguria në punë, përgjegjësia mbi cilësinë dhe përdorshmërinë e produkteve etj. Megjithatë, modeli i preferuar në vënien para ligjit të përgjegjësisë penale të personit juridik ngelet ai i përgjegjësisë në kaskadë.

Gjermania

Më pak pro përgjegjësisë penale të personave juridikë është Gjermania. Doktrina gjermane është e mendimit që për personat juridikë përgjegjësia penale është e tepërt dhe që përgjegjësia administrative mjafton në sanksionimin e personave juridikë. Ideja është që korporata nuk ekziston pa organet e saj. Vendimet e organeve reflektojnë vullnetin personal të drejtuesve dhe në këtë mënyrë përgjegjësia penale duhet të drejtohet drejt personave fizikë vendimmarrës në korporatë.

Hollanda njeh përgjegjësinë penale, por në vënien në zbatim të saj ajo fut një nëntitull. Korporata dënohet penalisht edhe për aktet e vartësve të saj, vetëm nëse ajo ka qenë në dijeni për një fakt të tillë.

Zvicra

Zvicra, nga ana e saj, e ka futur efektivisht në legjislacionin e saj përgjegjësinë penale për personat juridikë nga 1 tetori i vitit 2003. Arsyet e këtij ngurrimi janë pak a shumë të njëjtë, d.m.th. personi juridik nuk ka një ndërgjegje të tijën, por ajo formohet nga ndërgjegjia përkatëse e drejtuesve të saj. Ajo që bindi legjislatorin zviceran ishte konstatimi që struktura administruese e korporatave të mëdha po bëhet gjithnjë e më shumë komplekse dhe si e tillë është gjithnjë e më shumë e vështirë të gjejmë “fajtorin”. Edhe Zvicra përcakton shumë qartë thyerjet e ligjit që venë korporatën direkt para përgjegjësisë penale. Mund të përmendim aktivitetin kriminal, financimin e terrorizmit, larjen e parave të pista, korrupsionin. Për këto akte, korporata dënohet pavarësisht nga individi apo drejtuesi saj. Por në përgjithësi, jashtë akteve të sipërpërmendura, ndiqet logjika në kaskadë. Pra, dënohet drejtuesi apo individi që ka kryer veprën penale e vetëm nëse nuk arrihen të identifikohen këta të fundit, i kthehemi personit juridik, pra korporatës.

Shqipëria, mes Europës dhe SHBA-së

Le t’i kthehemi tani problematikës sonë. Një konstatim që mundemi të bëjmë nga përvoja e sipërpërmendur, është që megjithëse ekonomitë perëndimore janë në një fazë të përparuar zhvillimi, shumë mëdyshje ekzistojnë në zbatimin e përgjegjësisë penale për personat juridikë. Nga projekti i paraqitur, duket që legjislatori shqiptar ka zgjedhur më shumë përqasjen “e ashpër” dhe direkte të metodës amerikane duke lënë në sfond konceptin e përgjegjësisë në kaskadë. Nga një pikëpamje ekonomike kjo ka të bëjë në radhë të parë me strukturën e tregut si dhe me përparimin e asaj që ne quajtëm “kulturë tregtare e korporatës”. Në një strukturë të koncentruar me shumëkombëshe të fuqishme përgjegjësia penale e personave juridikë gjen konsensus. Në një strukturë të copëzuar tregu konsensual është më i dobët. Në rastin e Shqipërisë mendimi ynë është që jemi më afër një strukture të copëzuar me shumë ndërmarrje individuale me ndikime minimale në politikën ekonomike të vendit. Në refleksionin tonë mund të shkojmë dhe më larg duke pohuar që një faktor me shumë ndikim në anën tjetër mbi ekonominë e vendit janë organizmat shtetërorë. A duhet të parashikojmë një përgjegjësi penale për këto organizma? Në disa vende personat juridikë shtetërorë nuk janë të përjashtuar nga kjo përgjegjësi. Kjo nuk duket të jetë qartësisht e përcaktuar në këtë projekligj.

Së dyti, në vendet praktikuese të këtij koncepti tashmë, problematika e përgjegjësisë në përgjithësi është zgjidhur. Përsa i përket përgjegjësisë kemi 2 lloj ndarjeje të organizmave:

Persona juridikë dhe persona fizikë;

Shoqëri personash dhe shoqëri kapitalesh.

Kjo ndarje vështirëson pak problemin e përgjegjësisë pasi kemi raste si p.sh., shoqëritë me përgjegjësi të kufizuar ku organizmi është person juridik, por përgjegjësia lidhet direkt me personin që drejton shoqërinë. Në këtë rast, procedimi penal i shoqërisë do të ishte krejtësisht i panevojshëm pasi aktet e kryera nga shoqëria, pavarësisht personalitetit juridik të saj, e gjejnë burimin në vullnetin direkt të pronarit të saj. Duke përdorur këtë logjikë, mundemi dhe të kuptojmë rezervat e doktrinës gjermane ku struktura dominohet nga shoqëri me përgjegjësi të kufizuar (GmbH) dhe sjelljes zviceriane pro konceptit, pasi struktura ekonomike në Zvicër dominohet nga shoqëri kapitalesh si për shembull, shoqëritë anonime. Në këtë aspekt jemi të mendimit që zbatimi i këtij ligji mund të sjellë çrregullime nga ana e grupeve të interesit. Për të ilustruar këtë pikë, mund të marrim një shembull shumë aktual në dekorin e sotëm të biznesit shqiptar. E theksuam dhe më sipër se nocioni i kulturës tregtare është shumë i rëndësishëm në përcaktimin e përgjegjësisë penale të personave juridikë, siç janë korporatat e mëdha. Pyetja që duhet të bëjmë është: në skenën shqiptare të biznesit a ka një kulturë të konsoliduar të korporatës dhe totalisht të pavarur nga pronarët apo aksionerët e saj? Sa për qind e ndërmarrjeve shqiptare ekzistojnë dhe veprojnë pavarësisht nga vullneti i pronarëve? A kemi ne në Shqipëri organizma shumë komplekse si p.sh., rasti i gjigantit Nestlé operacionalisht i pavarur nga vullneti i aksionerëve të saj? Ne mendojmë se ky numër është i vogël për të mos thënë zero. Të këtij mendimi janë pronarët e sotëm shqiptarë, po i këtij mendimi është mesa duket edhe Qeveria e Shqipërisë. Pa pasur asnjë qëllim politik, natyrshëm mund të shtronim pyetjen: mbi bazën e cilës logjikë organizma shtetërorë kërkojnë kontrolle mbi kompaninë e Dritan Hoxhës dhe jo mbi shoqërinë me personalitet juridik (që do të thotë ekzistencë të pavarur nga personi i pronarit), pra DigitAlb? Kjo tregon edhe një herë që struktura dhe kultura ekonomike në vend nuk ka arritur në fazën e maturisë për të përtypur ligje të tilla.

Me këtë pohimi mendojmë që për zbatimin e ligjeve si ky për përgjegjësinë penale duhet në radhë të parë një analizë e thellë e strukturave ekonomike dhe sidomos duhet vënë theksi në aftësitë e shtetit në zbatimin e tij. Të bësh si të tjerët, nuk mjafton për të qenë rezultativ, duhet dhe që të jesh si ata me të njëjtat vlera, me të njëjtin integritet e shkallë profesionalizmi. Kjo nuk do të thotë që me këtë logjikë hedhim poshtë përfitimet e këtij ligji. Herët a vonë biznesi shqiptar do të përballohet me përgjegjësinë penale. Për këtë duhet që administratorët të fillojnë punën e tyre duke:

-pranuar faktin që një ditë korporata e drejtuar nga ata mund të jetë subjekt i përgjegjësisë penale;

-organizuar programe për parandalimin e praktikave antiligjore, qofshin ato penale apo administrative;

-kuptuar faktin që individi kriminal vepron në interes të tij dhe jo të organizmit;

-bërë kujdes në politikat nxitëse mbi rezultatet dhe politikat e kompensimit;

-njohur dhe komunikuar sanksionimet e ligjit;

-konceptuar programe dhe departamente përgjegjës për konformitetin ligjor (compliance).

Pra, e thënë ndryshe, duhet pasur si objektiv ndërtimi i një kulture tregtare të pakorruptuar që në gjenezë dhe jo konformiteti me ligjet e importuara direkt nga jashtë.

Published in: on 09/04/2010 at 09:30  Leave a Comment  

The URI to TrackBack this entry is: https://iglitashi.wordpress.com/2010/04/09/tregu-i-pamaturuar-nje-veshtrim-mbi-pervojat-e-vendeve-te-zhvilluara-per-pergjegjesine-penale-te-personave-juridike/trackback/

RSS feed for comments on this post.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: