Modeli i shoqërisë shqiptare dhe reflektimi i saj mbi median

Gusht 2008

Duke ndjekur me interes diskutimet e këtyre ditëve të fundit mbi problemin e modelit të mediave të shkruara, mund të konstatojmë që analiza e bërë me shumë kujdes e argumenta nga gazetarë të njohur, tregon një maturi në proçesin e përmirësimit të një faktori, i cili në një laps kohor, kërkon një vëmendje të caktuar. Ri-konsiderimi i një problemi, qoftë ky i lidhur me faktorin e studiuar, media, po qoftë dhe me fusha të tjera, tregon që shkalla e ndërgjegjësimit dhe nevoja për përmirësim, kanë arritur në pjekuri. Deri këtu asnjë problem, përvçse një nevoje të brendshme të qënies njerëzore për progres. Ajo ç’ka do të bëjë differencën, për të kalur nga stadi i nevojës në atë të përmbushjes me sukses të kësaj nevoje, është kualiteti dhe thellësia e analizës për të arritur rezultatin e dëshiruar, por sidomos për të projektuar mënyrat e veprimit për të ardhmen. Në këtë prizëm kuptimi i shkaqeve që fshihen mbrapa fenomenit të diskutuar është dhe detyra më e vështirë dhe aspak komode e analizës.

Në shkrimet e këtyre javëve të fundit argumente të shumta janë dhënë për të kuptuar qasjen nga një stil në një stil tjetër të medias së shkruar në Shqipëri. Analizat shkojnë nga llogjika e mosprofesionalizmit brenda subjektit (pra të medias së shkruar) e deri në ndërhyrjet dhe implikimin e politikes në këtë biznes.

Për mendimin tim, kjo analizë e gjerë dhe domosdoshme (fakti që po zhvillohet argumenton më së miri nevojën për të), është fokalizuar më shumë në kundërshtitë reciproke të argumentimeve, sesa në një logjikë integruese të tyre për të dalë në rezultatin dhe përgjigjen saktë të pyetjeve: pse ky model, apo, pse kjo krizë?

Natyrisht që modeli i zgjedhur apo modeli që mbizotëron në treg do të kondicionojë dhe në kualitetitin, seriozitetin, po mbi të gjitha në besueshmërinë apo utilitetin e lajmit. Lajmi vetë, përveç modelit të zgjedhur nga botuesi, do të kondicionohet shumë dhe nga kërkesa apo pretendimi që ka mbi të konsumatori i tij, pra lexuesi. Kjo është për mendimin tim dhe një nga çelësat e shpjegimit të pse-së së këtij modeli apo të atij tjetrit në median e shkruar. Pra si të thuash në një gjuhë ekonomike, kuptimi dhe studimi i kërkesës sesa ai i ofertës. Kjo jo për të de-responsabilizuar pjesën e ofertës (pra gazetarinë), por për të kuptuar sjelljen e saj vis-à-vis kërkesës. Ashtu kështu, ndërhyrja në njërin krah, po sipas teorisë ekonomike, sjell pazgjidhshmërisht ndryshime dhe në krahun tjetër.

Në këtë kontekst pyetja thelbësore për mendimin tim është: Si  ndikon kërkesa mbi ofertën në rastin konkret dhe a i përgjigjet oferta kërkesës në rastin e medias së shkruar ? Cili është modeli të cilin po ndërton dhe promovon (me apo interes) shoqëria shqiptare dhe a i korrespondon këtij modeli  niveli i ofertës (në rastin tonë media e shkruar)?

Në krahun e kërkesës dhe pa më të voglin hezitim, modeli përgjithësisht i përçuar në shoqërinë « pseudo-kapitaliste » shqiptare është ai i lidhur thellësisht me “suksesin fasadë financiar” të subjektit. Duket sikur ekziston nje garë pafund se cili ka makinën më të bukur, apartementin apo vilën në bregdet, kush i bën pushimet në Tahiti, te Mali i Robit apo kush ditore në Durrës etj. Dhe këtu lemë mënjanë logjikën arkaike, rudiment i para 2005-ës, që njerëzit me pushtet është normale që janë frenetikisht të pasur, pasi kanë pushtetin. Po mos jenë ata kush do jetë? Kjo përputhet shumë mirë me karakterin tonë ballkaniko-evropianojugor dhe për këtë normalisht nuk duhet të kemi frikë ta pohojme dhe ta pranojmë. Por nqs kemi pranuar këtë atëherë duhet të pranojmë dhe këtë qasje tabloidale dhe bombastike të realiteteve mediatike të shkruara apo të transmetuara qofshin ato. Në të njëjtën kohë, ata që përbëjnë rrethin mediatik janë pjesë e këtij realiteti dhe i përgjigjen po të njëjtës logjikë “ kënaqëse të kërkesës”, e cila vetë kjo e fundit është funksion i modelit të krijuar.

Pyetja që lind është kush e krijon dhe e ushqen këtë model? A është ky modeli që na intereson dhe që dëshirojmë?

Së pari krijimi i modelit nuk mund të vijë përveç se prej atyre që kanë kapacitetin, mundësinë dhe aftësinë e krijimit të modelit. Thonë që sa herë Madona ndërron modelin e flokëve, pothuajse gjysma e planetit femëror bën të njëjtën gjë (ndoshta e ekzagjiroj, po fare e pavërtetë nuk është ama). Ne fatmirësisht (apo fatkeqësisht) Madonë nuk kemi, po kemi këngëtarë të paaftë, që kanë një meritë të vetme – kan bo lek. E tillë ishte deklarata e një syreshi në një show televiziv me subjekt muzikën. Mua më pëlqen më shumë përqasja komerciale e muzikës sesa ajo artistike – tha ai plot serozitet. S’ka asgjë të keqe në këtë mes, mendimi i tij. Po kur ky model shoqërohet me shembuj të tjerë nga fusha të tjera (në terminologjinë ekonomike diversifikohet), kalon stadin e diskutueshmërisë dhe merr atë të një realiteti të vërtetë e të besueshëm. Nga se shoqërohet? Nga se nuk shoqërohet të themi më mirë…

Po nga figura gjithnjë e më shumë “biznesoidale” e politikanëve tanë, për shembull. Ka nga këta syresh që nuk e marrin fjalën në parlament për 1 vit rresht (gjë për të cilën paguhen e zgjidhen), apo dhe më keq akoma, nuk denjojnë të vijnë fare. Ose dhe kur vijnë, vijnë me makina apo motora të bukur e të mëdhej, shprehje e suksesit, sipas modelit të tyre. Ky model biles i serviret dhe fëmijëve që materializimin e kanë ndoshta problemin më të vogël. Mjafton të shikojmë reklamat me stereotipin e fëmijës që të jep mend se në cilin cep të globit bëhen më mirë pushimet apo cilën marke boje apo sallami të blesh, pasi babi i tij e di mirë, ai i shet vet te firma e tij. Ky stereotip i veshur me kostum dhe që studion në një shkollë private me mësuese shumë seksi, nuk ka si të mos joshë dhe moshatarët e vet, që luajnë para pallatit, ke fusha me dhé dhe që pushimet nuk munden t’i kalojnë as te pishinat në Tiranë, se është shumë shtrenjtë.

Pra për të mos e zgjatur me shembuj dhe për të mos ekzagjiruar e bërë moral,  modeli i ndjekur sot për sot në shoqërinë shqiptare është ai i utilitarizmit monetar « të cekët ». E theksoj “të cekët”, sepse ky utilitarizem monetar nuk është se nuk ekziston gjetiu, por ama është  i frenuar nga dëshira për të justifikuar konfortin financier më një aftësi e cila të ka bërë ta kesh atë. Ky model bën që ata që nuk e kanë dhe nuk kanë mundësi ta kenë, të projektohen tek „modeli“ që ju serviret nga mëngjesi në darkë, pré e së cilës nuk mund të mos jetë dhe media e shkruar.

Logjika e përdorur në këtë artikull mund të vërtetohet dhe nga realiteti në vendet e zhvilluara që kanë kaluar nëpër këto etapa para nesh. Është fakt që modeli tabloidal I shtypit „lulëzon“ në vendet liberale (le t’i quajmë ekonomikisht kështu ) si p.sh. Anglia, Amerika, Italia, dhe më pak në ato që konsiderohen më socialë nga pikëpamja ekonomike si p.sh vendet skandinave, Franca, apo dhe vende të tjera të Evropës veriperëndimore. Ndryshimi mes nesh dhe atyre eshte se, tek ne ose do të ekzistojë ekskluzivisht një model ose një tjetër. Tek ata, të dy modelet bashkëjetojnë po në një periudhë dikush merr më shumë rëndësi se tjetri apo anasjelltas.

Në krahun e ofertës dhe në gjithë këtë histori modelesh sjellja që duhet të këtë shtypi, për mendimin tim do të varet shumë nga pozicionimi i tij në këtë fushë gjigande shahu. E thënë ndryshe kritika nuk duhet të fokalizohet mbi atë ç’ka ndodh në realitet, por mbi motivin e pozicionimit në një krah apo në tjetrin. Nqs shtypi (nocion abstrakt ky),  po më mirë njerëzit që e formojnë atë, aderojnë tek modeli shoqëror ekzistues, duke i dhënë vetes një pozicion ndjekësi (nocion i njohur i marketingut ky) atëherë kjo përqasje tabloidale pranohet. Por nqs shtypi do të pozicionohet si « gjenerator kërkese » apo leader (për t’i ngelur besnik logjikës së marketingut) duke promovuar një model të ndryshëm nga ai aktuali, atëherë kjo gjë nuk shkon. I mbetet shtypit të zgjedhë pozicionin e vet. Një gjë është e sigurt, që në asnjë rrethanë apo kohë nuk duhet t’i ngelemi besnik deri në fund modelit të zgjedhur në fillim. Ai mund të evoluojë me kohën për t’ju përgjigjur kërkesave të brendshme të aktorëve.

Njëherë me disa kolegë patëm diskutimin se kush ishte futbollisti më i mirë i momentit: Beckham apo Zidane? Përgjigjia ime në atë kohë ishte se të dy kishin një të përbashkët : suksesin absolut. Ndryshimi ndërmjet tyre ishte se, në të njëjtën rrugë, futbollin, ata përdorën strategji të ndryshme për të arritur të njëjtin rezultat, pra për t’u  bërë të famshëm. I pari më shumë look-un dhe reklamat, i dyti këmbët dhe topin. Në fund të fundit të dy përdorën strategji të ndryshme në bazë të aftësive që zotëronin : të parit zoti i dha nje fizik e pamje të tërheqëse, të dytit jo dhe aq për sa i përket pamjes së jashtme po më shumë përsa i përket këmbëve. Por në fund gjithësecili përdori aftësinë e tij më të mirë për të arritur … suksesin.

Published in: on 09/04/2010 at 10:31  Leave a Comment  

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: