Mashtrimi nëpërmjet Internetit – taktikë e re vjedhjeje

Mashtrimi nëpërmjet Internetit – taktikë e re vjedhjeje
Skema e mashtrimit të shpenzimeve të parapaguara

nga IGLI TASHI
Instituti i Sistemeve të Informacionit – Fakulteti i Ekonomisë
Universiteti i Lozanës (Zvicër)

E njohur ndryshe si “Nigerian Connection” apo “419 Fraud”,  kjo skemë vjedhjeje ka ekzistuar dhe përpara përhapjes në masë së Teknologjive të Reja të Informacionit dhe të Internetit. Pse nigjeriane dhe pse 419? Në fakt, sepse kjo skemë vjedhjeje, në formën e automatizuar nëpërmjet Internetit dhe e-mailit e pati zanafillën e saj në Nigjeri, dhe është pikërisht neni 419 i Kodit Penal nigjerian që e sanksionon. Skema e mashtrimit me anë të shpenzimeve të parapaguara ka në bazë idenë e joshjes së individëve të prirur pas përfitimit të shpejtë monetar. Duke përdorur një argument joshës të stilit “…një shumë e madhe parash po ju pret …por duhet vetëm të parapaguani disa shpenzime modeste për transfertën e saj” – kriminelët arrijnë të bindin viktimën që të japë paradhënie një shumë parash në mënyrë që transferta e shumës së madhe (normalisht disa mijëra apo miliona Dollarë apo rishtasi Euro) të bëhet sa më shpejtë. Kjo skemë ka funksionuar që në shekullin e 16-të. Në 1840, në Australi, një person i quajtur Mick Bell bindi dikë që ishte i interesuar të transferonte fondet e tij jashtë kolonisë angleze në atë kohë, duke i stisur një skenar anijeje fantazmë, që gjoja do ta ndihmonte të transferonte fondet. Si këmbim i kërkoi veshmbathje dhe ushqim për të “siguruar” suksesin e operacionit. Dhe pastaj … asnjë lajm për Mick Bell. Kjo zgjati deri sa Mick Bell ia ndjeu lezetin kësaj mënyre komode për t’u veshur dhe për t’u ushqyer, provoi ta përsëriste dhe herë të tjera, deri sa një ditë policia arriti ta ndalonte dhe Bell u dënua me dy muaj burgim.

Siç thamë dhe më sipër, skema ngelet e njëjtë, por interkoneksioni në distancë (Internet) bën që “kolegët” e Bell të prekin një numër të madh “viktimash” potenciale, në një hapësirë gjeografike të madhe dhe me argumenta më aktuale dhe më të  larmishëm, pa pasur nevojë të identifikohen personalisht.

Pak ditë më parë një skemë e tillë u vu në përdorim dhe fatkeqësisht funksioni në Shqipëri ku rreth 420 persona “parapaguan” disa shpenzime modeste në këmbim të përfitimit të një shume parash që gjoja kishin fituar në një lotari spanjolle.

Funksionimi i skemës së vjedhjes

Si fillim gjithë viktimat potenciale implikohen me një komunikim pak a shumë të personalizuar. Në fillim me letra të dërguara nëpërmjet shërbimit postal, më vonë nëpërmjet faksit  për të arritur më pas në komunikimin direkt dhe më pak të kushtueshëm të postës elektronike (e-mail). Që këtu mund të imagjinojmë një nga arsyet pse këto lloj mashtrimesh janë shumë të mundshme të funksionojnë, si në rastin e këtyre ditëve të fundit.  Këto komunikime nëpërmjet Internetit siç e theksuam dhe më sipër u lokalizuan në Nigjeri po fenomeni vjen nga shumë vende të botës pa ndonjë koncentrim të veçantë apo domethënës.

Skema e mashtrimit të shpenzimeve të parapaguara mund të marrë forma të ndryshme ( e në këtë aspekt kriminelët janë me të vërtetë persona me një imagjinatë të lakmueshme), por më të rëndësishmet janë “vjedhja 419” – (419 fraud) dhe vjedha nëpërmjet loterive – (Lottery fraud).

Argumeti i përdorur do të varet nga viktima të cilën kriminelët do të duan të sulmojnë.

–         Për viktima, le t’i quajmë të vogla, do të përdorin argumenta si ajo e lotarisë, e gjetjes së vendeve të punës fiktive për shtresa në nevojë (p.sh. studentat), ose skemat e trashëgimive pa trashëgimtarë.

–         Për viktimat, le të themi mesatare, skema e njëjtë do të mbeshtet në argumentë si p.sh. ndihmë për të nxjerrë apo investuar një shumë të madhe parash jashtë një vendi në situatë të vështirë, por me pasuri të njohura botërisht. Nuk është një rastësi që në këto raste do përdorim si karrem, shtete afrikanë të njohura botërisht për pasuritë e tyre nëntokësore. (ar, diamant)

–         Për viktimat, le të themi të mëdhaja (normalisht ndërrmarrje të mëdha dhe në vështirësi financiare ) skema do të mbështetet mbi investime reale të ndërrmarrjeve reale me aktivitete të përqëndruara në fushat shumë fitimprurëse të energjisë, naftës, diamanteve, produkteve mjeksorë, produkteve kimikë etj.

Pa marrë parasysh në cilin element do të mbështetet skema,  e përbashkëta është që një shumë e madhe parash i propozohet viktimës. Pastaj jepet një shpjegim i hollësishëm i arsyes dhe i rrugëve të transfertës të shoqëruara me detaje pak a shumë teknikë e specifikë (emra, adresa, numra telefoni, kode kontosh bankare etj. ) për ti dhënë sa më shumë kredibilitet skenarit. Për të bërë transfertën ju ofrohet një përqindje e majme, një rrogë e mirë, një produkt apo shërbim cilësor. Duke qenë propozime joshëse, viktima do t’i hyjë lojës dhe që propozimi joshës të bëhet realitet, i kërkohen viktimës të paguajë disa shpenzime paradhënie. Një tjetër element që përdoret për të bërë sa më të besueshme skemën është dhe propozimi për t’u takuar me persona realë (në rolin e avokatëve apo noterëve) në ambjente hotelesh luksoze të vendosura në vende joshës,  me të gjitha shpenzimet e paguara. Por kjo do të varet nga shuma që do i kërkohet. Për shembull, për një “parapagim i parëndësishme” prej 30 000 $ që do të kërkohet për të transferuar shumën e majme prej 1 000 000 $, 2 ditë në një hotel luksoz ndoshta do të kushtojnë 5 000 $. Për kriminelin ngelen gjthmonë 25 000 $ të fituara le të themi pa shumë mund.

Pasi të jetë marrë shuma “modeste” e parapagimit, ose proçedura do të shkëputet direkt (si në rastin e lotarisë) ose çuditërisht disa komplikacione do të dalin dhe një tjetër shumë e “vogël” do i kërkohet viktimës, për të mbuluar shpenzimet e komplikacionit. Viktima, e angazhuar tashmë në lojë, nuk mund të kthehet mbrapsht dhe të humbë atë ç’ka ka paguar. Kështu që vazhdon të zhytet akoma e më thellë. Në rastin më të keq, duke u varur dhe nga shuma që është vënë në lojë,  finaliteti ka arritur deri dhe në rrëmbim personi apo akte të tjera të dhunshme jashtë kuadrit të vjedhjes klasike.

Disa indikatorë të një skeme vjedhjeje të mundshme

–         E para dhe mbi të gjitha keni fituar diçka për të cilën nuk keni ndërmarrë asnjë aksion paraprak – kontakt, mbushje formularësh, blerje bilete, blerje produkti, pjesëmarrje në konkurs etj. E thënë ndryshe diçka shumë e bukur për të qenë e vërtetë.

–         Letra (ose maili) vë në dukje një farë ngutjeje përsa i përket kohës së shkurtër që keni në dispozicion për t’u përgjigjur.

–         Letra (ose maili) vë në një mënyre të dukshme theksin mbi natyrën konfidenciale të transaksionit

–         Letra (ose maili) vë theksin në mardhëniet e ngushta që kontaktuesi ka me sferat e larta të vendit të tij. E thënë ndryshe ka / apo ka pasur mardhënie me njerëz apo organizma të rëndesishëm të stilit… në qeveri , në parlament, në agjensi shtetërore…

–         Letra (ose maili) ju paraqesin dokumenta në dukje zyrtarë por që nuk kanë të njëjtat elemente të sigurisë apo të paraqitjes si ato origjinalë. Shkurt letra vjen nga një institucion i rëndesishëm por paraqitja grafike duket se është amatoriale.

–         Letra (ose maili) ju kërkon të dhëna personale si numra kontosh, kode IBAN, adresa bankash, adresë shtëpie, numra telefoni etj.

–         Letra (ose maili) vë theksin mbi faktin që transaksioni është 100% falas (free)

–         Dhe argumenti më domethënës, letra (ose maili) ju kërkon të parapaguani diçka simbolike në dukje.

Indikatorë specifikë në rastin e Lotarisë

–         Letra (ose maili) ju informon që keni fituar një lotari të cilën nuk e keni luajtur asnjëherë

–         Ju kërkohet të mbani faktin e fshehtë për arsyen e mospagimit të taksave

–         Letra (ose maili) ju informon që emri juaj është seleksionuar rastësisht nga një sondazh në Internet

–         Lotaria që keni fituar pretendon të jetë e lidhur me lotaritë kombëtare me famë, gjë që jep siguri. Raste të njohura janë konstatuar me e-mail që pretendonin të ishin të lidhura me Lotarinë Kombëtare Spanjolle apo Lotarinë Kombëtare të Mbretërisë së Bashkuar.

–         Letra (ose maili) ju informon që keni në dispozicion një periudhë shumë e shkurtër për të tërhequr çmimin e fituar

–         Letra (ose maili) ju ju bën një kërkesë për parapagimin e shpenzimeve të tërheqjes së çmimit, avokatit etj.

Reflektim mbi fenomenin

Siç e theksuam dhe më sipër, në ditët e sotme fenomeni është pothuajse i përqëndruar në komunikimin nëpërmjet kanaleve të Internetit. Kjo për arsyen se për kriminelët mundësitë janë amplifikuar dhe kostot janë ulur me këtë teknologji. Tashmë ata munden të prekin një numër shumë të madh njerëzish pa pasur frikë se mund të identifikohen.

Zgjedhja e objektit të përfitimit (apo argumenti siç e quajtëm më sipër) është gjthashtu  i konceptuar në një mënyrë shumë inteligjente nga ana e kriminelëve. Zgjidhen përgjithësisht argumente të besueshme për të joshur viktimat. Fakti i fitimit të lotarisë spanjolle tashmë u bë i njohur për publikun shqiptar. Por nuk është e çuditshme që nje ditë të viheni në kontakt me vajzën e kryeministrit të Bregut të Fildishtë e cila do ju kërkojë ta ndihmoni të transferojë 100 milionët që i ati kishte depozituar në Bankën Kombëtare të vendit. Për këtë shërbim ajo do të ketë kënaqësinë t’ju dhurojë 20 % të shumës. Nuk do të jetë e rastësishme zgjedhja e shtetit,në rastin e shembullit tonë Bregut të Fildishtë, kur dihet që në këtë shtet ka një konflikt të armatosur dhe që situata politike e shtetit bën që me të vërtetë njerëzit që posedojnë pasuri të duan ta nxjerrin jashtë vendit.

Nuk ishte e rastësishme as zgjedhja e variantit lotari për t’u propozuar në Shqipëri. Në veprimtarinë e tyre, duke qenë se mbrapa fshihen organizata kriminale tepër të organizuara, nje reflektim mbi kontekstin ekonomik dhe social të vendit merret parasysh. Njihet klisheja post-piramidale që shqiptarët janë të prirur rreth përfitimit të shpejt të parave. Duhet pasur parasysh dhe fakti që për një sërë arsyesh konsumatori shqiptar nuk ka qenë në kontakt me metodat paraprake për të njohur skemën dhe për të arritur maturitetin e nevojshëm që të mundet të kuptojë në kohë dhe të reagojë në kohë. Po të komentojmë statistikat mund të shohim që një tjetër skemë, jo ajo e loterisë, do i propozohet viktimave potenciale në Zvicër. Në Zvicër konstatojmë më shumë oferta për derdhje shumash të mëdhaja parash duke pasur parasysh famën e bankave zviceriane dhe rëndësinë e sekretit bankar. Kurse në një shtet që njihet në arenën ndërkombëtare si agresiv në drejtimin e investimeve, viktimave potenciale do i propozohen skemat që kanë si objekt investimin, të cilat i përmendëm më sipër. Të tëra këto kombinime kanë një emërues të përbashkët që është : injoranca e përdoruesit mbi fenomenin. Prandaj dhe mjeti i luftës më efikas është INFORMIMI PUBLIK dhe trajnimi masiv i të rinjve, të cilët janë dhe objektivi më tërheqës për këto lloj skemash.

Në këtë kuadër gjëja më  e mirë që mund të bëni në qoftë se do të ndodheni para një e-mail, faksi apo letre me karakteristika të tilla është:

–         Mos u përgjigjni

–         Mos dërgoni asnjë shumë parash mbi të gjtha

–         Mos dërgoni asnjë informacion apo fotokopje dokumentash identiteti

–         Mos komunikoni asnjëherë të dhëna mbi kontot bankare apo kartat e kreditit.

Dhe në qoftë se fatkeqësisht për një arsye apo tjetrën i keni hyrë kësaj loje,  mos pranoni në asnjë mënyrë të hyni në kontakt fizik më këdo që do të mundohet t’ju sigurojë një takim të menjëhershëm dhe denoncojeni skemën sa më shpejt të jetë e mundur për të shpëtuar ndoshta viktima të tjera

Published in: on 09/04/2010 at 08:59  Leave a Comment  

The URI to TrackBack this entry is: https://iglitashi.wordpress.com/2010/04/09/mashtrimi-nepermjet-internetit-%e2%80%93-taktike-e-re-vjedhjeje/trackback/

RSS feed for comments on this post.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: