Loja e politikës me politikën ndaj emigrantëve

nga Igli TASHI

Dhe siç është tradita, stina e verës bashkë me të nxehtin, sjell dhe realitete politike po aq të nxehta e që kundërmojnë erë manipulim sapo të hapësh kapakun. I tillë është dhe debati mbi një marrje në konsideratë të votës e emigrantëve, të cilët kanë një emër, një identitet dhe një përkatësi, atë të të qënit shqiptarë. Them marrje në konsideratë, jo për të qenë pesimist, por për të qenë realist për fundin afatshkurtër të këtij diskutimi. Nuk është rastësi që këtij diskutimi filloi t’i binte era gjatë verës… Normal, bën nxehtë, ata do të vijnë, duke ju përgjigjur kështu spoteve zëmergjerë të mediave dhe opinionit publik. Me nënqeshjen dhe pafuqinë që i karakterizon, kjo pasojë e emrit që mbajnë, EMIGRANT, ata prapë do të vijnë. Më kujtohet nje skeç i viteve ‘90 i estradës së Shkodrës, ku disa grevistë urie, të vetëdijshëm dhe hallexhinj dhe ata si emigrantët, arrinin në konkluzionin që: “qeveria ban medemek sikur s’na sheh, e na bajmë medemek sikur s’hajmë”. Një situatë që ka karakterizuar dhe akoma karakterizon sjelljen e asaj që quhet shoqëri apo ndërgjegje shqiptare. E kam të qartë që askush nuk mund të gjykojë mbi palët në këtë diskutim, dhe kjo për shumë arsye. Këtu qëndron dhe problemi kryesor në trajtimin e problemit, sepse në këtë rast nuk duhet të ketë palë. Për mungesë statistikash nuk mundemi të jemi rigorozë në shifrat e përmendura, siç do t’a kërkonte etika e profesionit dhe e analizës. Megjithatë thotë populli “Fshati që duket nuk do kallauz”. Dhe me ato pak statistika që kemi, mund të themi pa frikë që një e treta e shtetasve Shqiptarë ndodhen jashtë vendit, dhe që jo më pak se kaq është kontributi i tyre në ekonominë e vendit. Prandja ky diskutim nuk bie era ndershmëri. Nuk bie era ndershmëri që nga etiketa që u zgjodh për parashtrimin e problematikës. Ata që punojnë dhe evoluojnë në rrethe të ndryshme akademike, intelektuale etj. e dinë mirë që gjetja e titullit përbën një ndër pjesët kryesore dhe më domethënëse të materialit apo të shkrimit. Cinizmi i fshehur mbas titullit të dhënë, “vota e emigrantëve” evokon në vetvete pikën më të ndjeshme, atë të përkatësisë ultime të kësaj pjese, që me mish e me shpirt, me vuajtje dhe fyerje, duron peshën e rëndë të fjalës emigrant. Është kjo peshë që mundohen ta heqin çdo herë që ata shkelin në Shqipërinë e tyre, sikur të donin të thonin, i përkas dhe unë një diçkaje. Prandaj, le të mos luajmë me ndjeshmërinë, të kemi pak respekt e të flasim për të drejtën e votës të shtetasve shqiptarë jo residentë, që jetojnë jashtë. Megjithatë nuk dua të shtyj me forcë porta që janë të hapura dhe të përdor të njëjtat argumenta për të thënë të njëjtat gjëra që janë thënë e stërthënë. Ajo ç’ka do të ishte interesante në këtë stad, për mendimin tim, do të ishte kuptimi i pse-së së këtij laksizmi politik përballë kësaj të drejte dhe jo kërkese, siç në fakt është tendenca të parashtrohet. Le ta nisim nga fundi, çfarë di t’i pengonte emigrantët – tha dikush – të vinë e të votojnë këtu? Në fakt, teorikisht asgjë, përveç faktit banal të një udhëtimi në Shqipëri të karakterizuar nga shpenzime aspak të neglizhueshme. Pra, konsiderata dhe zelli për “t’i mjelë” dhe në të drejtën e tyre qytetare të votës nuk shmanget as në këtë argument. Po çfarë bën shteti në këtë rast? Asgjë, ndershmërisht asgjë. Të drejtën e tyre legjitime qytetare, ai ua lë prapë totalisht në kurriz të tyre, siç çdo gjë tjetër deri më tani. Të mos harrojmë pra që përveç përfitimeve direkte ekonomike, emigrantët i kanë kursyer këtij shteti dhe mjaft probleme sociale. Këto probleme ose të lidhura direkt me personin e emigrantit ose indirekt me familjet e tyre në territorin e Shqipërisë, të cilave ata u zgjidhin financiarisht në një masë jo të neglizhueshme problemet e përditshme. Dhe si këmbim çfarë i kërkojnë ata shtetit të tyre? Një administratë të aftë, që përveç parave të tyre, aq të mirëpritura, t’u administrojë dhe votën e tyre. Me çfarë mund të merreshin më mirë ambasadat dhe konsullatat shqiptare (pjesë e kësaj administrate) përveçse me manaxhimin e problemeve të shtetasve të tyre? Por kjo ka kosto… natyrisht që ka kosto por kjo nuk është pengesa kryesore. Kryesorja është mungesa e dëshirës dhe e ambicjes, vlera diametralisht të kundërta me ato që ata që rëndom i quajmë “emigrantë”. Ambicja dhe dëshira për të arritur diçka i shtyu këta të fundit të zgjidhnin një rrugë të vështirë mbijetese. A nuk ishin po kaq ambicioze dhe me kosto të larta për momentin, projekte të mëdhaja “made in Albania” si centralet bërthamorë, hyrja ne NATO me ushtarë që shkojnë me bukë me vete nëpër reparte, apo dhe ëndrra e hyrjes ne BE pa plotësuar shumicën e kushteve. Ato kushte që dhe vendet që u nisën nga një start pothuajse me ne në 1990 e largët, i kanë përmbushur me kohë. Segmenteve politike “senior” apo “me eksperiencë” në Shqipëri nuk ju intereson vota e shtetasve Shqiptarë që jetojnë jashtë Shqipërisë. Kjo për shumë arsye për mendimin tim… E para është se emigrantëve nuk mund t’ua manipulosh dot votën e tyre me argumente që fillojnë gramatikalisht me kohën e ardhshme, “do të…”. Të prirur nga pragmatizmi dhe nevoja për rezultate të prekshme (e quajtur ndryshe instikti i mbijetesës) ata kurrsesi nuk do të gënjeheshin nga premtimet elektorale dhe shpeshherë irrealiste, të fushatave zgjedhore. Diapazioni i vendimit të emigrantit, nisur nga kushtet ku ai evoluon, ia lejon luksin e një vendimmarrjeje më të shtrirë në kohë dhe më pak emocionale duke e bërë këtë strategji të pavlefshme. E dyta është fakti që emigranti duke evoluar në botën në të cilën “ata me eksperiencë” dëshirojnë të integrojnë Shqipërinë e TYRE, ja njohin më mirë problemet e përditshme me të cilat kjo botë përballet. Atyre “me ekperiencë” nuk ju intereson vota emigrantëve, sepse sjellja e tyre politike do të kalojë në nje sitë shumë të hollë vlerësimi. Dhe “miqtë e ndritur” që ata takojnë, sa në Crans Montana, sa në Londër, sa në Paris etj. do të jenë pjesë e vlerësimit të sjelljes politike të tyre. Nuk mundet që ky emigrant të mos ndikohet nga “miqësia e ngushtë dhe fatlume”, fjala vjen me Berluskonin, sa për të marrë një shembull. Nuk mundet, sepse ai e ka parë me sytë tij duke folur për emigracionin (pra për të) në të njëjtën kohë që fliste në Napoli dhe për plehrat që mbuluan këtë qytet mesdhetaro-perëndimor. Paralelizmi i përdorur nga “miku” dhe mënyra nuk kanë vend për koment, por ama nuk mund të kalonte pa u ndjerë sa herë që miqësia e “mikut” do përdorej si argument elektoral. E thënë shqip, nuk mundesh t’u hedhësh hi syve me tokën e premtuar. Dhe e treta dhe më e rëndësishmja është se “emigrantët” do të jenë një elektorat i ri, me problematika të reja dhe pak të ndryshme me ato të cilat “njerëzit me eksperiencë” janë mësuar të përballen deri tani. Ata do të ishin komplet të paaftë të përdornin të njëjtën strategji elektorale demagoge, manipuluese dhe cinike, si ajo që përdorin në mitingjet e tyre elektorale brenda territorit. Këta politikanë nuk do të mund të përdornin të njëjtat mjete presioni, si fjala vjen, i forti i lagjes që tani është bërë biznesmen dhe i thotë vetes elitë, për të ndërruar kursin e votës. Dhe këtu më vjen në mend një histori që më tregonte gjyshja ime kur isha i vogël, histori kjo e ndodhur në një fshat të Korçës. Duke mbajtur meshën një të diel, prifti i fshatit pa me bisht të syrit nje djalë “mistrec” që po i vidhte bukën tradicionale të meshës me një mashë. Djali përfitonte kështu nga fakti që prifti s’mund të ndalonte ceremoninë fetare dhe nuk mund t’i bërtiste në sytë e gjithë fshatit. Atëherë, prifti për të mos rënë në sy e për t’i tërhequr vëmendjen djalit “mistrec”, ndërroi një strofë të psallmit të tij dhe vazhdoi të këndonte:
“Të pashë o i biri i Petraqit, të pashë,
Kur e more meshën me mashë,
Ç’të të bëj që jam i zënë,
Pa do të ta dh… të t’ëmë”.

* Ekonomist, kërkues shkencor dhe asistent lektor në Universitetin e Lozanës
Published in: on 09/04/2010 at 07:41  Leave a Comment  

The URI to TrackBack this entry is: https://iglitashi.wordpress.com/2010/04/09/loja-e-politikes-me-politiken-ndaj-emigranteve/trackback/

RSS feed for comments on this post.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: