Informaliteti, paradokset e luftës kundër tij dhe realiteti shqiptar

Igli TASHI

I diplomuar në Fakultetin e Ekonomisë– Universiteti i Lozanës
Master në drejtesi, kriminalitet dhe siguri e teknologjive të reja
Ass/Kërkues shkencor pranë Institutit të Sistemeve të Informacionit – Universiteti i Lozanës
PhD candidate

Jemi gjendur shpesh herë të konfrontuar me paradokse gjatë historisë tonë të afërt e të largët, të cilat na kanë kushtuar shtrenjtë si në pikëpamjen ekonomike po dhe ashtu në atë njerëzore. Shpesh herë jemi justifikuar si të pafuqishëm për të reaguar ndaj tyre dhe duke mos dashur të rihapim plagë që duhen mbyllur sa më shpejt të jetë e mundur, mund të përmendim farsën piramidale. Shpesh herë kemi vepruar në emër të neoliberalizmit ekonomik duke thyer çdo rregull moral dhe ekonomik të joshur nga motori ekonomik me emrin fitim, ashtu siç dhe shpesh herë të tjera jemi munduar të tregohemi më “katolikë se papa” duke aprovuar dhe aplikuar ligje apo moratoriume që asnjë regjim demokratik në një situatë normale nuk do të kishte mundur t’i imagjinonte. E mbarsur me një logjikë paradoksesh, legjislatori shqiptar votoi dje një ligj, të ashtuquajtur “ligji i gjobave”. Kjo në emër të luftës kundër informalitetit dhe evazionit fiskal. I  prirur nga morali profesional, duke mos dashur t’i jap artikullit tim një karakter politik, do të doja të theksoja që megjithë dëshirën e mirë që mund të ekzistojë për të minimizuar rëndësinë dhe impaktin e këtij fenomeni në Shqipëri, rruga e preferuar nga legjislatori shqiptar është rruga më e gjatë dhe më e pafrytshme në këtë drejtim.

Kam ndjekur me shumë vëmendje diskutimet e politizuara dhe emocionale në lidhje me këtë ligj dhe të them të drejtën është me të vërtetë shumë e vështirë që në një atmosferë emocionale të logjikosh dhe të mendosh një zgjidhje racionale. Racionaliteti është një koncept shumë i rëndësishëm në teorinë ekonomike dhe si i tillë mungesa e tij në vendimarrjet që lidhen direkt me fushën e ekonomisë dhe të biznesit bëjnë që këto vendimarrje të kenë një impakt shumë të vogël për të mos thënë negativ. Kjo është dhe një nga arsyet që ky ligj në formën dhe me mekanikat e propozuara nga qeveria shqiptare dhe njëkohësisht të aprovuara nga legjislatori shqiptar do të krijojë shumë probleme në dinamikën e ekonomisë shqiptare.

Pa dashur që ky artikull të marrë formën e një leksioni makroekonomie, duhet theksuar fakti që nocioni i racionalitetit është i lidhur ngushtë me nocionin e ekuilibrave ekonomikë, nocion ky shumë i rëndësishëm përsa i përket efikasitetit dhe efiçiences së politikave ekonomike. Ky ekuilibër duhet të jetë i pranishëm si në marrëdhëniet biznes-klient, në ato biznes-biznes po gjithashtu dhe në marrëdheniet biznes – shtet. Kjo, sepse mbi të gjitha, guri themeltar dhe finaliteti i teorisë ekonomike liberale është racionaliteti i përkthyer ndryshe si rritja e mirëqënies për gjithë aktorët ekonomikë të sipërpërmendur. Pra në bazën e asaj gjendjeje që quhet “ekuiliber ekonomik” ndodhet një interaksion multilateral i grupeve të interesit. Në këtë aspekt, ligji i aprovuar nga legjislatori shqiptar shkon kundër çdo lloj logjike ekuilibrash duke sjellë kështu një mungesë racionaliteti që fatkeqësisht mund të ketë reperkursione të rëndësishme në finalitetin e logjikës ekonomike, pra të rritjes së mirëqenies.

Ndërhyrja e shtetit në ekonominë e tregut është një subjekt shumë i diskutuar në botën ekonomike. Natyrisht në këtë kuadër konsiderojmë politikat ekonomike liberale të demokracive drejt të cilave ne aspirojmë të bëhemi pjesë përbërëse, duke lënë menjanë politikat ekonomike planifikuese të stilit komunist të komanduara drejtpërdrejt nga shteti. Në këtë aspekt ndërhyrja e shtetit në ekonominë e tregut konsiderohet si e nevojshme dhe e dëshirueshme për disa arsye. Më e rendesishmja ndërmjet tyre është sepse ekonomia e tregut udhëhiqet nga logjika e fitimit. Kjo logjikë në stadin më të lartë të saj i përafërsohet shumë logjikës së xhunglës ku gjithkush do të fitojë. Për këtë arsye ndërhyrja e shtetit si ekuilibrues ideal për të mos pasur inegalitete dhe diferenca të mëdha është e dëshirueshme. Problemi qëndron në faktin se deri ku shteti mundet të shkojë me ndërhyrjen e tij për të përmbushur rolin e ekuilibruesit dhe për të mos kaluar në një pozicion ç’ekuilibruesi.  Kufiri është pothuajse i padukshëm.

Në rastin e informalitetit, (duke përdorur një logjikë mjekësore), do të ishte më rëndësishme që në luftën kundër tij qeveria të fokusohej më shumë në aksione preventivë sesa në ato paliativë. Pra e thënë ndryshe, duke i kushtuar më shumë vëmendje shkaqeve të kësaj sëmundjeje, sesa kurimit të dhimbjeve të fazës terminale. Për të qenë sa më profilaktike, përsa i përket uljes së informalitetit, duhet që në radhë të parë të kuptojmë ç’është ky fenomen, nga se shkaktohet dhe a mundemi ne të ndikojmë në parandalimin e tij. Si shtetas shqiptar nuk dua ta mendoj e besoj që vendi im, natyrisht i prekur nga kjo sëmundje,  ndodhet ne fazën terminale të tij dhe që ligje kaq të dhimbshme janë të nevojshme në kurimin e tij.

Duke mos u zgjatur më me aventurën medikale, që nuk është fusha ime e kompetencës, desha të paraqisja në pak rreshta si perceptohen në vendet e zhvilluara perëndimore ato që quhen “rrënjët e informalitetit”.

Në radhë të parë informaliteti ekonomik si fenomen i referohet evazionit fiskal, por jo vetëm atij. Në termin informalitet përmblidhen të gjitha dukuritë e mosrespektimit të ligjeve dhe rregullave të vendosura dhe të pranuara si të tilla  nga ana e kompanive dhe bizneseve qe operojnë në një vend të caktuar. Këtu mund të përmendim përveç evazionit fiskal, mosrespektimin e rregullave të punëdhënies, të rregullave të prodhimit etj. Marrja në konsideratë e të tërë përbërësve të fenomenit do të ishte një kusht për mbarëvajtjen dhe efikasitetin e ligjeve të propozuara për të luftuar këtë fenomen. Në rastin tonë fokusimi i ligjit mbi fenomenin e evazionit fiskal nuk bën gjë tjetër përveçse e zhvendos problemin në një tjetër stad.

Por çfarë është më e rëndësishme është arsyeja përse ky informalitet është kaq present dhe i përhapur? Një konstatim i bërë nga Banka Botërore është se fenomeni i informalitetit është shumë prezent në Federaten ruse, në Afriken sub-sahariane si dhe në vendet e Amerikës Latine dhe të Azise Qëndrore. Në të njëjtën kohë ky fenomen është shumë i reduktuar në vendet e Azisë Lindore ku presioni rregullator dhe ai fiskal janë shumë të vegjël në krahasim me vendet që vuajnë më shumë nga ky fenomen. Duke u nisur nga ky fakt,  mund të nxjerrim dhe konluzionin e parë mbi informalitetin duke argumentuar se: nje presion i madh fiskal nga ana e shtetit  i shoqëruar më një shkallë të lartë ndërhyrjeje dhe korrupsioni shtetëror është në bazën e fenomenit të informalitetit ekonomik. Nuk mundem këtu të mos bëj paralelin me masat që janë marrë në disa vende evropiane mbi fenomenin e prostitucionit duke penalizuar më shumë gjeneratorët e fenomenit (klientët) sesa përfituesit direkt (prostitutat). Këtu duke pasur kujdes e duke mos marrë në konsideratë veprimtarinë e dënueshme penalisht të “protektorëve” të cilët natyrisht ngelen të dënueshëm sipas çdo lloj logjike. Ideja është e thjeshtë: luftë kundër burimit. Në rastin konkret, penalizim të klientëve të prostitutave. E njëjta praktikë e thjeshtë mund të përdoret dhe në emër te luftës kundër informalitetit ekonomik pra një prerje e burimit të informalitetit, pra e korrupsionit shtetëror e shoqëruar me një ndërhyrje sa më pak intruzive të shtetit në marrëdhënie me biznesin. Logjika mbrapa ketij arsyetimi është: një omniprezencë e shtetit i jep atij një fuqi anormale, kjo fuqi i hap portat korrupsionit dhe ky korrupsion sjell si rezultat rritjen e informalitetit  e me radhë çekuilibrim të ekonomisë që  do të ketë si pasojë një diferencim e ulje të mirëqënies totale. Këtu qëndron dhe paradoksi më i madh i luftës kundër informalitetit pra duke forcuar mjetet e luftës prodhojmë më shumë informalitet. E thënë në gjuhën e popullit: duke dashur të heq vetullat, nxjerr sytë. Kështu pra mbi këtë logjikë,  masat shtrënguese të marra në kontekstin shqiptar kanë më shumë gjasa të kenë efekte perverse sesa rezultate efektive ndaj fenomenit. Nga literatura që trajton këtë fenomen kemi një përgjigje të drejtë dhe pa ekuivoke përsa i përket luftës kundër informalitetit.

Në rastin e përqafimit të opsionit të masave shtrënguese dhe presiont shtetëror me anë të gjobave të parapagueshme, i duhet kushtuar një vëmendje e jashtëzakonshme kontekstit socio-kultural. Konstatimi i bërë nga literatura është i qartë : në një kontekst të mbarsur me informalitet, masat shtrënguese dhe intruzive nuk prodhojnë efektin e dëshiruar. Mendoj se jemi të tërë në një mendje se informaliteti në shoqërinë shqiptare është shumë i pranishëm. Këtë konstatim evident na i faktojnë ngjarje të hidhura si fjala vjen fenomeni i piramidave, ai i gjakmarrjes, por dhe fenomene të përditshme të shoqërisë shqiptare si burokracia dhe procedurat e pafundme administrative në zgjidhjen e një problemi. Këto fenomene kanë treguar dhe tregojnë dobësinë e shtetit shqiptar për t’i dhënë përgjigje problemeve të qytetarëve. Njëkohësisht ato tregojnë dhe prirjen e këtyre të fundit për t’i dhënë zgjidhje problemeve të tyre në një rrugë joformale duke anashkaluar shtetin. Pra si rrjedhojë duke iu referuar dhe eksperiencës mundemi të konkludojmë që aplikimi i një ligji si ky i “gjobave në biznes” i hap rrugën rritjes së informalitetit në vënd.

**Lufta Hobeziane i referohet nje situate ku konkurrenca eshte indivitualiste, e paformalizuar dhe jocivile.

Në qoftë se i referohemi teorisë ekonomike, një nocion shumë i thjeshtë, por mjaft i rëndësishëm është dhe ai që në zhargon quhet kurba e Laffer-it:

Ideja është e thjeshtë: duke u nisur nga pika A, një ngarkesë më e madhe fiskale, kthehet në një fren për të ardhurat fiskale. E njëjta gjë mund të ndodhë dhe me ekuilibrin ekonomik pas ligjit të votuar nga legjislatori shqiptar: duke marrë masa shumë represive padashur ose me dashje (vlerësimi i takon më shumë politikës sesa teknikës) do rrisim nivelin e informalitetit në vend. Mbi këtë logjikë dhe jo vetëm, në shtete të zhvilluara si USA apo Anglia, por dhe shtete të zhvilluari rishtasi si Japonia, Singapori apo Tajvani, ndërhyrja e shtetit në ekuilibrat ekonomike është shumë e moderuar.

Nje tjetër aspekt të cilin nuk duhej ta shmangnim në analizën e bërë mbi marrjen e masave shtrënguese si “ligji i gjobave” eshte dhe fakti i kredibilitetit negociues të ekonomisë dhe kompanive shqiptare me partnerët e saj të huaj. Në një kohë që për ekonominë shqiptare një pjesë e madhe e oksigjenit vjen nga investimet e huaja, sinjali i dhënë investitorëve të huaj është që tashmë biznesi dhe interesat e tyre nuk do të varen nga aftësia dhe konkurrenca e lirë por nga një organizëm shtetëror me një reputacion shumë të dyshimtë si jashtë ashtu dhe brenda vendit.

Lomnitz në artikullin e saj “Informal Exchange Networks in Formal Systems: A Theoretical Model” të botuar në revistën American Anthropologist në1987, nën postulatin “Regulli krijon Parregullsi” argumenton se kontrolli ekstrem i shtetit në biznes nëpërmjet rregullave e kontrolleve shtrënguese, shumë shpesh çon në një proliferacion të aktiviteteve ilegale. Kjo gjë illustrohet dhe në figurën e mëposhtme:

I të njëjtit mendim është dhe sociologu dhe ekonomisti njohur Richard Adams i cili në 1975 ka shkruar se “ sa më shumë mundohemi të organizojme shoqërinë dhe ekonominë, aq më shumë i reziston ajo aftësive të shtetit për ta organizuar”.

Po a duhet të rrijë shteti duarkryq përballë nivelit të lartë të informalitetit? Në asnjë mënyrë jo. Por ka disa faktore që bëjnë që kjo luftë legjitime të jetë efikase dhe efiçente në të njëjtën kohë.

Së pari, duhet që në vend që shteti dhe legjislatori shqiptar të përdorë ligje si ky i “gjobave të biznesit” (në rastin e Shqipërise totalisht i paaftë dhe i pafuqishëm në manaxhimin e ligjeve të kësaj natyre) ai duhet të fokusoje energjitë e tij në aspektin zbatues.

Së dyti, shteti dhe legjislatori shqiptar me karakteristikat e tij duhet të ketë një sjellje proaktive me grupet e interesit dhe me shoqerinë civile për t’i servirur biznesit shqiptar një ligj të bazuar në karakteristikat dhe strukturën e tij.

Së treti, që një ligj të jetë i zbatueshëm duhet që në radhë të parë të jetë i perceptuar si legjitim dhe si i mirëpritur. E në rastin konkret, nga grupet e interesit direkt,  ky ligj nuk konsiderohet si i tillë.

Mbas këtyre argumentave të përgjithshëm po shumë domethënës në lidhje me ndërhyrjen e shtetit në biznesin e lirë nën justifikin e luftës kundër informalitetit, duke lënë mënjanë argumentat politike, arrijmë në konkluzionin që “ligji i gjobave” është mënyra më e papërshtatshme që qeveria shqiptare zgjodhi për të luftuar informalitetin në përgjithësi dhe evazionin fiskal në veçanti. Qeveria dhe legjislatori shqiptar duhet të ketë parasysh nje fakt: megjithese integrimi në strukturat evropiane dhe euroatlantike është bërë një qëllim në vetvete për qeveritë që vijnë e shkojnë, duhet të mos harrojmë që ky qëllim përbëhet në substancë nga një material dhe provë e vetme, ajo e rritjes së mirëqënies, e modernizimit të ekonomisë gjë e cila vjen me braktisjen e praktikave të vjetra që ekzistojnë në Shqipëri, siç është dhe ky ligj i ri me mentalitet te vjetër i “gjobave te biznesit”.

Published in: on 09/04/2010 at 09:15  Leave a Comment  

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: