Dilema mes parimeve dhe pragmatizmit

* nga Igli TASHI

T’i qëndrojmë larg retorikës nacionaliste! Ky është një kusht paraprak që, çdo shkrim mbi çështjen e Kanalit të Otrantos (e thënë butë) apo dhurimit të një copëze Shqipërie (e thënë ashtu vendçe), duhet të plotësohet, për të mos rënë pre e skemave akuzuese për ata, që në parim janë kundër paktit Shqipëri-Greqi për kufijtë detarë. Atëherë për të mos rënë në kurthin e nacionalizmit, i diabolizuar sikur të ishte një sëmundje e keqe, le të flasim për “kombëtarizëm”. Për këtë kemi të drejtë, apo jo?! Natyrisht që po. Por le të hyjmë në temë.
Në cilësinë e ministrit të Jashtëm, zv.kryeministri, Ilir Meta, deklaroi se marrëveshja me fqinjin tonë, teknikisht është e drejtë. Megjithatë, e rëndësishme është që sot mund të themi me plot gojë, se një copëz Shqipërie nuk është më e jona! Kartonët e “liderit”, së bashku me ato të “baballarëve të kombit”, do ta bëjnë këtë, në një datë ende të pacaktuar. Në emër të kujt?

Në emër të stabilitetit në rajon? Të rolit të “nxënësit të mirë”, që Shqipëria ka mbajtur dhe po mban më të gjithë (si ata që e respektojnë, ashtu dhe me ata që e fyejnë), pa një analizë të mirëfilltë kosto-përfitim?
Në emër të integrimit europian, këtij ylli polar (përcaktim që Kryeministri Berisha i bëri integrimit pak ditë pas aleancës paszgjedhore me LSI-në) pa të cilin as frymë nuk marrim dot dhe as jeta nuk paska më kuptim?
Një parantezë. Ç’do të thotë integrim? Është një koncept paksa flu dhe shumë i debatuar në literaturë. Specialistët e ministrive përkatëse do të munden me siguri të na e shtjellojnë. Por para se të na shpjegojnë këtë, u duhet të falin një copëz
Shqipërie …
Kam njohur dikur një person, për të cilin marrja e letrave në një shtet të huaj perëndimor u bë një objektiv aq i rëndësishëm, sa gjithçka sillej rreth saj. Këtë ai e konsideronte si fundin e vuajtjeve të tij. Aq objektiv i rëndësishëm u bë për të kjo gjë, sa i kushtoi tërë energjitë e tij… në një pikë të tillë sa luste Zotin të sëmurej, që të paktën për arsye humanitare, t’ia jepnin ato të shkreta letra. Dhe më të vërtetë u sëmur, me një sëmundje që i mori jetën. Letrat i mori, po fatkeqësisht nuk jetoi gjatë për t’i gëzuar ato.
Le t’i kthehemi tani problematikës sonë, marrëveshjes me një titull të komplikuar me “shelfe dhe delimitacione”. Le të mos kemi frikë nga termat dhe ta themi hapur. Patëm frikë, u stepëm dhe zgjodhëm rrugën më të lehtë (për disa) për të përfituar sa më shumë nga monedha “integrim”, e vetmja sipas qeveritarëve tanë, që lejon blerje pa shumë problème të mallit “pushtet”.
Specialistët ministrive përkatëse do ta kenë të vështirë të argumentojnë integrimin europian si një integrim vlerash (përkufizim i dhënë ky për Komunitetin Europian nga një numër i madh specialistësh e politikanësh). Sepse në këtë rast, kemi të bëjmë me një integrim interesash të errëta lokaliste, e në rastin tonë, partiake. “Po çdo e mirë e ka një të keqe dhe çdo e keqe një të mirë”, thotë populli. Nëse këtë marrëveshje do ta shikonim si të keqe, e mira të paktën do jetë që, një copëz Shqipërie do të hyjë në Europë para Shqipërisë sonë, por … nga një derë greke. Na i kishte thënë dhe Papulias, ky grek që ka pirë gji shqiptar, se rruga jonë për në Europë kalon nga Athina. Nuk e di a e besuam atëherë, po pa zhurmë e pa potere si në rastin e Maqedonisë, po vërtetohet gjithnjë e më shumë se paska qenë e vërtetë! Pak a shumë, këtë tha edhe ministri ynë i Jashtëm, i cili së fundmi u emërua dhe si përgjegjës i integrimit tonë. Na tha që pakti me Greqinë, teknikisht, është sipas normave. Sipas cilave norma? Sepse ato norma të debatuara në ato konferenca e prononcime që unë kam dëgjuar, vijnë prej disa “nacionalistësh”, “kombëtaristësh”,
“ksenofobistësh”, e ç’është më e bukura, prej disa “specialistësh”. E natyrisht, për të yshtur akuzën e nacionalistit, nuk mund të jem i prirë t’u besoj.
Specialistët e ministrive, që marrin dhe rrogën për këtë punë, nuk i dëgjuam ndonjëherë të argumentonin. Pamë vetëm zyrtarët, që pohuan pa argumentuar. E pra, ju jeni vënë në krye për të na drejtuar, për të na thënë çfarë është e mirë për ne dhe çfarë jo. Nuk po marr mundimin ta bëj këtë pyetje, se e di që do të më kthehej një përgjigje standarde dhe shumë cinike (për të mos thënë frikacake dhe e pështirë), se “më e mira për popullin tonë, si një faktor paqeje dhe stabiliteti në Ballkan, do të ishte integrimi në bashkësinë e vlerave”. Po në cilën kuti bronzi hermetike të fusim parimet dhe etikën? Atëherë në emër të këtij morali, të kësaj etike dhe bashkësie vlerash, lërini të tjerët të thonë mendimin e të japin gjykimin e tyre; lërini t’ju thonë se kjo që bëtë ishte e pandershme dhe jo transparente; t’ju thonë që ishit të pazotë; lërini t’ju thonë që integrimi në bashkësinë e vlerave, për ju, nuk është një objektiv, po një karotë që ia keni lidhur në qafë këtij populli që të vrapojë për ta kapur deri sa të lodhet; lërini t’ju thonë që, sa më shumë qeveritë tuaja do t’i referohen yllit polar të integrimit, aq më shumë ky popull duhet të shqetësohet për aftësinë tuaj të kufizuar në zgjidhjen e problemeve; lërini t’ju kërkojnë të jini të ndershëm; lërini t’ju thonë se nuk është as parimore, as morale,
as etike, që 71 veta të kenë të drejtën të shesin pasurinë e 5 milionë të tjerëve. Sepse ai det është deti i shqiptarëve.
Ndoshta teknikisht kjo marrëveshje mund të jetë dhe e drejtë, por mënyra se si po menaxhohet, me mungesë transparence dhe arrogancë, të bën të besosh se intriga ballkanike qenka integruar në Europë para vlerave, moralit dhe etikës.

* Ekonomist i specializuar në çështjet e menaxhimit të sigurisë – Universiteti i Lozanës (Zvicër) –  Gazeta “Shqip” 29.01.2009
Published in: on 09/04/2010 at 07:20  Leave a Comment  

The URI to TrackBack this entry is: https://iglitashi.wordpress.com/2010/04/09/dilema-mes-parimeve-dhe-pragmatizmit-2/trackback/

RSS feed for comments on this post.

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: