Celulari i Kryeministrit kundrejt ndjenjës së sigurisë

Dhjetor 2009

Situata aktuale  tejet e tensionuar në Shqipëri ka nxjerrë edhe njëherë në plan të parë diskutimin mbi çështjen e sigurisë, dhe ka bërë që ndjenja e sigurisë (apo e pasigurisë) në vend të vihet në dyshim. Si gjithmonë, në realitetin dhe diskutueshmërinë shqiptare të polarizuar  në maksimum, gjenden dy lloj pozicionesh diametralisht të kundërta njëra me tjetrën. Njëra, që nuk rresht së denoncuari « pasigurinë» në vend, kurse tjetra që kishte dhe ka si objekt kryesor të marketingut politik, elemente që venë në plan të parë sigurinë nëpërmjet slloganeve që nxjerrin në pah «Shqipërinë në NATO » apo « Shqipërinë në BE ». Në realitet dhe, në qoftë se i kemi kuptuar mirë mesazhet e këtyre sloganeve, perceptimi standard duhet të jetë që : që këtej e tutje jemi politikisht më afër standardeve që aspirojmë t’i përmbushim dhe ç’ka është më e rëndësishme, jemi MË TË SIGURTË, jo vetëm në sensin « policor » të termit por dhe më gjerë.

Këto slogane, përveç reklamës së suksesit politik, kalojnë në hije një tjetër koncept shumë të rëndësishëm por njëkohësisht shumë të debatuar në rrethet e specialistëve, siç është ai i ndjenjës së sigurisë. Ky koncept duke përmbledhur në rrënjën e tij fjalën « ndjenjë », bën që evidentimi i tij të jetë një subjekt abstrakt i lidhur ngushtë me interpretimin. Ç’ka do të thotë që, pavarësisht elementëve objektivë të njëjtë, në rastin tonë i referohemi masave të sigurisë, mund të gjendemi në një situatë perceptimesh të ndryshme.

Të gjendur para dilemave subjektive që kanë si objekt konceptin objektiv dhe të prekshëm të sigurisë domosdoshmërisht duhet bërë një dallim ndërmjet këtyre dy nocioneve shumë të ngjashëm dhe lehtësisht të ngatërrueshëm me njëri-tjetrin, siç janë siguria dhe ndjenja e sigurisë, përkthim ky konceptual dhe jo ad litteram, i « security » dhe « safety ». Të dyja rrjedhin nga e njëjta fjalë secure (i sigurt) e cila është e kundërta e rrezikshmërisë. Konceptualisht, me siguri kuptojmë kushtet aktuale që lidhen me rrezikshmërinë, masat e marra për t’a ulur këtë të fundit, si dhe administrimi i tyre që lidhet me implementimin, përgjegjësitë, etj. për të qenë (dhe ç’ka është më e rëndësishmja për t’u ndjerë), të sigurt. Ndërsa ndjenja e sigurisë bazohet në rezulatatet reale dhe mbi të gjitha në perceptimin e rezultateve të pretenduara që vijnë si rrjedhojë i masave të ndërmarra të sigurisë, për të arritur në përfundimin e dëshiruar, pra një situatë jo të rrezikshme apo të sigurtë.

Për të qenë sa më të besueshëm, duhet që nivelit të sigurisë t’i bashkangjitet detyrimisht një konteksti të caktuar dhe që ky nivel të perceptohet si i lartë. Gabimet në perceptimin e gjendjes reale të sigurisë, kanë  pasur shpesh herë pasoja katastrofike, si për shembull rasti tipik i 11 shtatorit të 2001-it. Niveli i perceptimit të gjendjes së sigurisë së brendshme, duke e konsideruar atë si të shkëlqyeshme, bëri që masat e sigurisë të mos merrnin në konsideratë skenarë me probabilitet pothuajse zero (një sulm brenda territorit të SHBA) dhe rezultati – 3000 qytetarë amerikanë të vrarë dhe 300 milionë të tjerë (a mos më shumë) të traumatizuar.

Tani, nën këtë optikë, le t’i kthehemi ngjarjeve të ditës në Shqipëri, për të analizuar këto perceptime të papërputhura me pretendimet mbi nivelin e sigurisë.

Konteksti, si një nga elementët parësorë kur diskutohet për sigurinë, është ai i përqëndruar mbi luftën kundër korrupsionit dhe tentakulave të tij siç janë organizatat kriminale, mafioze, përfituese etj. duke mos dashur të përmendim gjithë panoplinë e epitetve të përdorura. Prioriteti i vendosjes së kontekstit mund të themi që është i shtyrë më shumë në funksion të objektivave politikë – në rastin konkret hyrja në NATO apo dhe BE – sesa të objektivave të mirëfilltë të sigurisë. Një sondazh i cituar kohë më parë, gjatë javës së ethshme të Bukureshtit, tregoi që vetëm 14 % e të intervistuarve shikonin hyrjen në NATO si një përmbushje të frikës së tyre për një agresion të jashtëm ndaj territorit të Republikës së Shqipërisë. Kjo gjë tregon më së miri se, fokalizimi i prioritetit ngushtësit në lidhje me sigurinë, pati një mbështetje të pakët. Natyrisht që përfitimet në planin politiko-strategjik mund, dhe janë të konsiderueshme, por në një këndvështrim sigurie, jo dhe aq sa pretendohej. Pra e thënë ndryshe, rendi i prioriteteve ndryshoi, dhe si pasojë kaluam nga një prioritet lufte kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në një prioritet të luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar PËR T’U INTEGRUAR.

Kjo përqasje politike e një proriteti strategjik me bazë sigurinë, në vetvete, solli një kondicionim sipërfaqësor të sigurisë së brendshme efektive dhe të mjeteve të përdorura për të përmbushur objektivat e luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar. Në të vërtetë, nga një implementim efektiv masash kundër fenomenit, u përqëndruam në përpilime politikash, ligjesh, apo strukturash, për të evidentuar faktin që po bëjmë ç’ka është e mundur dhe e drejtë për të përmbushur standartet. Por në fakt përmbushja e standarteve nuk është veçse një hap i parë dhe i detyrueshëm për t’u vënë në një kontekst sigurie. Gjendjen e mirë të sigurisë dhe nëpërmjet kësaj, « të shumë dëshiruarën » ndjenjë të sigurisë, nuk mund ta arrijmë vetëm duke përmbushur standardet. Përkundrazi kjo arrihet duke demonstruar që domosdoshmërisht, kushtet e projektuara të sigurisë e të shprehura në politika, ligje e struktura, japin një provën e qartë të një lidhjeje të ngushtë mes masave, objektivave dhe rezultateve të mira të perceptuara si të tilla , pra mes sigurisë dhe ndjenjës së sigurisë. Në zhargon, kjo quhet “prova e sigurisë” dhe është ky element, që do të gjendet më tej në gjenezën e ndjenjës së sigurisë, aq shumë të debatuar në ditët e sotme.

Pra siç dhe e kemi shtjelluar derin tani, nuk është e thënë që masat e marra përsa i përket rritjes së sigurisë, të çojnë domosdoshmërisht në një « ndjesi sigurie ». Këtu qëndron dhe thelbi i diskutimit. Në rastin tonë kemi :

–         Në njërin krah, masa sigurie që mundohen të tregojnë që gjithçka është në punë për mbrojtjen e jetës së qytetarëve të saj. Në krahun tjetër, një perceptim thellësisht i lëkundur nga 26 të vdekur dhe qindra të lënduar (fizikisht, materialisht dhe psikologjiksht) në mes të ditës dhe në sytë e gjithë botës dhe një mori buzëqeshjesh cinike të të akuzuarve para kamerave televizive ;

–         Në njërin krah, masa sigurie që mundohen të na tregojë që gjithçka është në punë për krijimin e strukturave të nevojshme për të luftuar krimin e organizuar. Masa sigurie duke pretenduar prioritete, përsosmëri, buxhete të konsiderueshëm si dhe struktura te reja në organet të sigurisë. Në krahun tjetër, një perceptim i ndryshëm që bazohet në dështimin e këtyre struturave inteligjente dhe normalisht me rreze të gjatë veprimi, të cilat nuk qenë të afta të zbulojnë dot një rrezik iminent në portat e Tiranës. Për të mos folur më tej për ristrukturimet e njëpasnjëshme me pasojë heqjen apo shkurtimin e profesionistëve me eksperience në fushën e sigurisë sa herë që ndërrohet krahu politik i qeverisjes.

–         Në njërin krah masa sigurie që prej 20 vjetësh mundohen të rezultojnë në një sistem gjyqësor përballë të cilit çdo qytetar është i barabartë. Masa sigurie konkrete që trumbetojnë me të madhe lëshimin e imuniteteteve me dëshirë. Në krahun tjetër, një perceptim që turbullohet nga pabarazia e qytetarëve përballë ligjit, kur shohim që ministra të akuzuar direkt për vepra penale vazhdojnë të “ngrohin” kolltukun e butë të pushtetit.

–         Në njërin krah, masa e sigurie të bazuara kryesisht në retorikën e luftës kundër korrupsionit, si me forcë ligji ashtu dhe me dara e dentisti. Në krahun tjetër, një perceptim pothuajse unanim i faktit që korrrupsioni nuk ulet por po ndërron model. Po kalon nga një model banal (me punojës administrate qe të kërkojnë « kafe »), në një model elitar (nëpermjet akuzave për tendera madhore që keqpërdorojnë asetet publike).

–         Në njërin krah masa sigurie që duan ta shndërrojnë Shqiperinë në një vend tërheqës investimesh ku biznesi lulëzon. Në krahun tjetër, një perceptim dëshpërues i bazuar në miratim ligjesh arkaike si ai i dështuari i gjobave të biznesit ashtu dhe ky i fundit i anti-mafies.

–         Në njërin krah masa sigurie për të përçuar një situatë të brendshme të qetë dhe të qëndrueshme. Në krahun tjetër, perceptimi i qytetarëve thellësisht i turbulluar nga kjo luftë politike e paprinciptë, e ulët dhe antivlerë.

–         Dhe e fundit një „super-masë sigurie“ si ajo e mundësisë për të hyrë ne kontakt direkt me Kryeministrin në emër të efikasitetit apo transparencës, e cila nga një këndvështrim perceptimi jep një mesazh tejet të gabuar. Çfarë perceptohet është se zgjidhja e problemeve ka vetëm një solucion unik, kryeminsitrin, që merr formën e një mesie. Kjo do të thotë që nqs ke një problem, systemi i sigurisë nuk të zgjidh punë (pra nuk funksionon !), por funksionon „super-masa e sigurisë“ unike me numër telefoni 0672000410.

Këto janë vetëm disa shembuj të njohur që tregojnë kontradiktën midis retorikave politike mbi masat e sigurisë që pretendohet se janë ndërrmarrë, dhe mesazheve kontradiktore që kanë të bëjnë me perceptimin qytetetar. Lista është më e gjatë se kaq, mbushur me fakte që përditë denoncohen me një „kujdes të veçantë“ nga miss-et e konferencave të shtypit. Perceptimi i qytetarëve: një luftë politike brenda llojit të politikanëve për përfitime personale e partiake, aspak a motivuar nga rritja e ndjenjës së sigurisë për qytetarët.

Duke pasur parasysh të tërë elementët e sipërpërmendur (dhe ndoshta shumë të tjerë që nuk i dimë) e për të lehtësuar e qartësuar sadopak gjendjen dhe perceptimin e sigurisë së qytetarëve shqiptarë, një pyetje të lind natyrshëm: Cila është vlefshmëria e “super-masës së sigurisë” me numër telefoni 0672000410 ?

Published in: on 09/04/2010 at 10:38  Leave a Comment  

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

%d bloggers like this: