Përdorimi i Internetit në vendin e punës, pasojat për biznesin dhe survejimi kompjuterik i vartësve

Eksperienca e trajtimi të problemit në Zvicër, në disa vende evropiane dhe perspektiva në Shqipëri

nga

Igli TASHI*
Solange GHERNAOUTI-HELIE*

Në qoftë se mendoni se teknologjia mund të zgjidhë të gjitha problemet tuaja, atëherë nuk paskeni kuptuar asgjë, as për problemet tuaja, as për teknologjinë.
Bruce Schneier
(
cryptographer, computer security specialist)

Përdorimi i teknologjive të informacionit dhe sidomos i teknologjisë së Internetit nga ndërmarrjet dhe biznesi në përgjithësi, është shumë i përhapur në ditët e sotme. Kompjuteri konsiderohet tashmë si një mjet pune i domosdoshëm dhe si një vektor tepër i rëndësishem përsa i perket rritjes së produktivitetit. Por pasojat që mund të sjellë fenomeni i përdorimit të kësaj teknologjie nuk janë totalisht të kuptuara mirë e aq me pak nën një kontroll rigoroz. Problematika e lidhur me fenomenin e përdorimit të Internetit është shumë e gjerë. Një nga aspektet e kësaj problematike që lidhet më shumë me biznesin, është dhe përdorimi i Internetit në vendin e punës, që në zhargon thirret cyberslacking[1]. Në fakt fenomeni nuk është dhe aq i panjohur, pasi në thelb gjendemi para të njëjtit problem përsa i përket përdorimit të telefonit apo të ndonjë mjeti tjetër komunikues jashtë kuadrit profesional. Megjithatë teknologjitë e reja të informacionit sjellin një shkëputje të fortë të logjikës së mëparshme për shkak të specifikave që ato mbartin. Mund të përmendim këtu :

-         dixhitalizimin e të dhënave : që sjell një pasiguri më të madhe përsa i përket ruajtjes së informacionit. Kjo vjen nga fakti që informacioni numerik është tashmë totalisht i pavarur nga suporti i tij (letër, bandë manjetike, disketë etj.)

-         ndjekjen dhe magazinimin e informacionit : që me përdorimin e këtyre teknologjive bën që informacioni të mos jetë më eksluzivisht pronë e një personi. Mund të përmendim këtu stokimin në server-a të cilët shpesh ndodhen fizikisht jashtë territorit të ndërmarrjes.

-         Cënueshmëria e informacionit në distancë: që vjen pikërisht si shkak i përdorimit të kësaj teknologjie

-         Përdorimi shumë i gjerë i punës në rrjet (network)

-         Faktin që informacioni dixhital teorikisht nuk ka as origjinal, as kopje pikërisht falë karakterit të tij numerik.

Për këto arsye përdorimi i Internetit nga një ndërmarrje, krahas anëve të mira të tij, sjell dhe një problem të madh pasigurie, përsa i përket informacionit që gjithmonë e më shumë mbart një peshë të madhe në suksesin e biznesit të një ndërmarrjeje.

Pasojat e abuzimit të përdorimit të Internetit në ndërmarrje

Fenomeni i cyberslacking është zanafilla e shumë kërcënimeve e rreziqeve  të reja për ndërmarrjen. Këto rreziqe mund të krijojnë probleme në nivelin e produktivitetit, sigurisë së informacionit dhe të ketë një rezultat negativ si për asetet ashtu dhe për imazhin e ndërmarrjes. Përdorimi abuziv i Internetit mundet të sjellë si pasojë deri një përfshirje të përgjegjësisë së vetë ndërmarrjes si në aspektin civil ashtu dhe penal.

Përsa i përket kostos mund të përmendim koston e lidhjes në Internet. Një kosto kjo që në vendet perëndimore (ku lidhja bëhet me tarifë fikse), nuk përbën një shumë për t’u marrë në konsideratë. Por me tarifat që praktikohen deri tani në Shqipëri ky faktor merr një rëndësi të veçantë. Në lidhje me koston mund të përmendim elektricitetin, koston e printimit de teksteve të ndryshme  të shkarkuara nga Interneti, limitimin e kapacitetit të magazinimit të informacionit etj. Por kostoja më rëndesishme ështe ajo që shprehet në kohë pune të pashfrytëzuar. Përdorimi abuziv i Internetit çon kështu në një ngadalësim të funksionimit të kompjuterave, ngarkesë dhe saturim të rrjetit me pasoja të rënda përsa i përket transfertës së të dhënave dhe efikasitetit të veprimeve.

Përsa i përket sigurisë së informacionit përdorimi abuziv mund të paraqesë një rrezikshmëri të madhe në raport me sigurinë e resurseve. Konsultimi i faqeve me karakter pornografik, shkëmbimi i mail-ve me burime të pasigurta, rrit ndjeshëm statistikisht ekspozimin ndaj rrezikut. Shpesh faqet dhe mesazhet e kësaj natyre përbëjnë një karrem të mirë për futjen në sistemin informatik të ndërmarrjes së viruseve, krimbave (worm), kuajve të Trojës (Troyan horses) apo dhe të programeve spiunë  në distancë (spywares, keyloggers). Pasojat mund të jenë shkatërrimi, modifikimi, vjedhja, përvetësimi i të dhënave apo dhe marrja e kontrollit të sistemeve të informacionit. Kjo dëmton integritetin, disponueshmërinë dhe sekretin e të dhënave. Komunikimi i adresës mail vend e pa vend, rrit ndjeshëm ekspozimin ndaj fenomenit të spam-it (dërgimi i një numri të madh mail-esh). Ky fenomen mund të përdoret kriminelët kompjuterikë për shumë qëllime. Në më të mirën e rasteve provokon një kosto përsa i përket humbjes së kohës në lexim të panevojshëm apo në fshirjen e tyre. Në më të keqen e rasteve mund të përdoret si mjet për transmetimin dhe futjen e programeve spiunë, viruseve, krimbave apo kuajve të Trojës apo dhe ngarkimin e tejskajshëm të rrjetit për të provokuar bllokimin e tij (denial of service). Si shembull mund të marrim përhapjen e virusit Sobig që shkaktoi dëme që sipas përllogaritjeve të bëra kapin shifrën 500 milionë deri 1 miliard US $[2]. Ky virus u përhap nga një punëmarrës që kishte shkarkuar imazhe pornografike, nga një Usenet në kompjuterin e punës.

Përmbajtja e mesazheve apo faqeve të konsultuara mund të ketë pasoja për imazhin e ndërmarrjes apo dhe për përgjegjësinë e saj penale. Shumë shkelje penale “tradicionale”  mund të kryhen nëpërmjet Internetit, biles dhe të lehtësohen nga përdorimit të tij. Ky lehtësim vjen nga anonimiteti mbrapa të cilit fshihet dhe distanca hapësinore në të cilën vepron krimineli kibernetik. Shumë nene të kodeve aktuale[3] mund të merren në konsideratë për dënimin e veprave penale “tradicionale”, të kryera nëpërmjet Internetit. Mund të përmendim këtu Pornografinë (neni 117 i Kodit Penal Shqiptar KPSH), Fyerja (neni 119 KPSH), Shpifja (neni 120 KPSH), Përhapja e sekreteve vetjake (neni 122 KPSH), Pengimi ose shkelja e fshehtësisë së korrespondencës (neni 123 KPSH), Riprodhimi pa të drejtë i veprës së tjetrit (neni 149 KPSH), Zhdukja dhe vjedhja e dokumentave (neni 192/a KPSH), Thirrjet publike për veprime të dhunëshme (neni 223 KPSH), Shpërndarja e shkrimeve antikushtetuese (neni 225 KPSH), Nxitja e urrejtjes ose grindjeve ndërmjet kombësive, racave dhe feve (neni 265 KPSH), Përhapja e informatave të rreme që ngjallin panik (neni 267 KPSH), Njoftim i rremë në organet e rendit (neni 272 KPSH), Pastrimi i parave të pista (neni 287/a KPSH). Diçka pozitive është dhe fakti që “krimi kompjuterik” i mirëfilltë dënohet penalisht si i tillë. Kodi penal Shqiptar në nenin 192/b përcakton që: ndërhyrja në çdo formë, në transmetimet dhe programet kompjuterike, përbën kundravajtje penale dhe dënohet… . Të mos harrojmë faktin që Shqipëria është nënshkruese e Konventës “Për krimin në fushën e kibernetikës” në Budapest më 23 nëntor 2001,  konventë të cilën ajo e ka ratifikuar.

Po cili është rreziku për punëdhënësin në këtë rast? Së pari, siç e theksuam dhe më lart, rreziku më i madh ka të bëjë me imazhin e ndërrmarrjes. Natyrisht një ndërmarrje, vartësit e së cilës thyejnë ligjin nuk do të ishte një reklamë e mirë për ndërrmarrjen. Për legjislacionin zvicerian neni 55[4] i Kodit të Obligacioneve parashikon gjithashtu një përfshirje të përgjegjësisë së ndërrmarrjes në rast se punëdhënësi nuk ka marrë të gjitha masat që diçka e tillë të mos ndodhte. Kjo proçedurë ndiqet dhe në legjislacionin francez, amerikan, anglez, belg dhe hollandez ku ndërmarrja mund të mbartë përgjegjësi për aktet e kryer nga vartësit, pikërisht duke pasur parasysh që punëmarrësi ka për detyrë të bëjë kujdes që këto gjëra të mos ndodhin. Në legjislacionin shqiptar, për momentin, asnjë dispozitë nuk ndëshkon direkt punëmarrësin për veprimet penale te vartësve të tij, por kjo nuk e liron nga obligimi i “trajnimit” dhe i vënies në dijeni, që ai ka për vartësit e vet.

Përdorimi i Internetit në vendin e punës – trajtimi ligjor i problemit

Ashtu si dhe një përdorues i zakonshëm, një vartës mund të përdorë aplikacione të ndryshme që prekin sferën e Internetit, të cilat mund t’i klasifikojmë në dy kategori :

-         atë të rregjistrimit të të dhënave (downloads, e-mails etj )

-         atë të navigimit në Internet apo pjesëmarrjes nëpër forume, chat etj.

Në kuadrin e aktivitetit të tij profesional, punëmarrësi mundet dhe duhet të bëjë një përdorim profesional të pajisjeve dhe materialeve që punëdhënësi i vë në dispozicion. Me termin përdorim profesional nënkuptojmë përdorimin e pajisjeve dhe materialeve në kuadrin e përmbushjes së detyrës, që mund të rrjedhë ose nga një kërkesë direkte e punëdhënësit ose thjesht nga fakti dhe detyrimi që ka një punëmarrës të përmbushë misionin i cili i është caktuar. Duke ndjekur këtë logjikë, një përdorim që del nga kjo kornizë, mund të konsiderohet si një përdorim joprofesional.

Në marrëdhënien punëdhënës-punëmarrës, ky i fundit ka një detyrim moral dhe kontraktual bindje, kujdesi në punë dhe besnikërie, përballë punëdhënësit. Këtë detyrim, që rrjedh nga neni 321a[5] i Kodit të Obligacioneve zviceran, e gjejmë dhe në nenin 24 të Kodit Shqiptar të Punës, të formuluar në një mënyrë pothuajse identike. Ky nen përcakton që: punëmarrësi kryen me kujdes punën që i ngarkohet dhe që punëmarrësi për kryerjen e punës duhet të përdorë sipas rregullave të caktuara mjetet e punës, aparaturat, mjetet e punëdhënësit dhe pajisjet e vëna në dispozicion të tij. Kështu mund të konkludojmë që punëmarrësi, përveç rastit të një marrëveshjeje të posaçme, nuk duhet dhe nuk mundet të përdorë pajisjet teknike, telefonike dhe elektronike të vëna në dispozicion nga punëdhënësi, jashtë përdorimit  profesional. Në Zvicër ashtu si dhe në shumicën e vendeve evropiane mungon një legjislacion i veçantë për këtë temë. Organizma qeveritarë ose jo-qeveritarë mundohen të publikojnë rregullore, rekomandime etj., por këto të fundit ngelen gjithmonë në një kuadër soft law që do të thotë pa asnjë forcë detyruese. Nisur nga kjo situatë legjislative dhe për të zgjidhur problemet e kësaj natyre, që ekzistojnë realisht në jetën e përditshme, duhet t’i kthehemi ligjeve në fuqi.

Në qoftë se i referohemi nenit 319[6] të Kodit të Obligacioneve të Zvicrës ashtu si dhe  nenit 26 alinéa 3 të Kodit Shqiptar të Punës përcaktohet se: gjatë vlefshmërisë së kontratës, punëmarrësi nuk duhet të kryejë asnjë punë të paguar nga të tretët, e cila dëmton punëdhënësin ose i bën konkurrencë atij. Ideja është pothuajse e njëjtë, përveç faktit që në kodin zviceran formulimi bëhet në një mënyrë pozitiviste, ku flitet se, punëmarrësi gjatë vlefshmërisë së kontratës duhet të vihet totalisht në shërbim të punëdhënësit. Nisur nga këto formulime mund të konkludojmë që në qoftë se punëmarrësi kalon kohën duke luajtur me letra në ordinator, atëherë është në kundërshtim të plotë me Kodin e Punës dhe me marrëdhëniet kontraktuale me punëdhënësin dhe si rrjedhojë, duhet të mbartë pasojat.

Jurisprudenca na jep gjithashtu nje ndihmë të çmuar në trajtimin e problemit. Gjykata Federale e Zvicrës[7] konsideron që vetëm përdorimi për qëllime private që merr përmasa të konsiderueshme mund të sanksionohet me një heqje nga puna me efekt të menjëhershëm. Ndërsa një përdorim i limituar mund të tolerohet në një farë mënyre, dhe të sanksionohet vetëm ne rastin kur punëmarrësi është vënë në dijeni më përpara nga punëdhënësi.

Në qoftë se përdorimi i Internetit për qëllime private tolerohet nga punëdhënësi, atëherë mund të konkludojmë që ky përdorim është i lejueshëm për ndërmarrjen në fjalë. Ideja mbrapa kësaj logjike të jurisprudencës mbetet moscënimi i drejtave themelore të njeriut siç është dhe ajo e të drejtës për të qenë i informuar.

Deri tani kemi folur për përdorimin e Internetit dhe të teknologjive të reja në përgjithësi brenda orëve të punës. Po ç’ndodh nëse të njëjtin aktivitet punëmarrësi do ta kryente gjatë pushimeve ditore që i takojnë me ligj[8]? Kohën e pushimit ditor normalisht punëmarrësi mund ta kalojë sipas vullnetit të tij të lirë duke përfshirë këtu dhe navigimin apo përdorjen e pajisjeve të vëna në dispozicion nga punëmarrësi. Por kjo gjë me kusht që veprimtaria e tij të mos paraqesë as më të voglin rrezik për imazhin, reputacionin apo sigurinë e të dhënave të ndërmarrjes.

Survejimi  kompjuterik i vartësve

Cyberslacking përbën një rrezik për gjithë ndërmarrjen në planin strategjik, ekonomik, ligjor dhe financiar. Për të ruajtur mbarëvajtjen dhe jetëgjatësinë e ndërmarrjes, duhet në radhë të parë të kuptohet rëndësia, ekspozimi dhe kostot eventuale të rrezikut. Kështu, mund të merren masat e duhuar për të limituar probabilitetin që ky rrezik të ndodhë realisht. Manaxhimi i rrezikut që lidhet me cyberslacking ështe në origjinë të asaj që quajme survejim kompjuterik, që është përgjigjia teknologjike ndaj këtij rreziku.

Survejimi kompjuterik ështe çdo mjet kontrolli teknologjik ndaj një personi apo proçesi, që lidhet me teknologjitë e reja dhe veçanërisht me rrjetet dixhitale (networks) të komunikimit. Survejimi kompjuterik mund të bëhet nëpërmjet:

-         analizës së skedarëve (file) të historikut, të skedarëve te regjistrimit (logfiles) për të pasur nje ide jo shumë të detajuar të aktivitetit të përdoruesit te kompjuterit (çfarë skedarësh ka hapur e konsultuar, të çfarë lloji, në ç’kohë, detaje mbi përdorimin e faqeve të internetit, llojin, adresën, orën e konsultimit, kohëzgjatjen etj.

-         në qoftë se ndërmarrja ka një system Intranet-i, përgjigjet e pyetjeve të mësipërme janë shumë më të detajuara

-         mjeteve ndërlidhës në rrjet të stilit router, firewall të cilët memorizojnë adresat IP dhe aktivitetin e tyre

-         mjeteve dhe programeve të kontrollit në distancë të përdorura nga administratorët e rrjetit

-         programeve spiunë të stilit spywares, keyloggers që rregjistrojnë gjithë aktivitetin e kompjuterit dhe të çdo hardware që është i lidhur me të.

-         Content scanners të cilët fotografojnë përmbajtjen e ekranit dhe sipas përmbajtjes munden ta fshijnë, ta bllokojnë  apo të dërgojnë automatikisht një kopje administratorit te sistemit.

Por fakti më i rëndësishëm nuk është se si të survejojmë, por deri ku mundemi të shkojmë me survejimin kompjuterik, çfarë të dhënash mundemi të mbledhim dhe a mundemi apo jo.

Siç e theksuam dhe më sipër, si Kodi i Obligacioneve zvicerian  ashtu dhe Kodi i Punës shqiptar i japin të drejtën punëdhënësit t’i japë direktiva dhe detyra punëmarrësit. Ky fakt i jep në të njëjtën kohë dhe të drejtën për të kontrolluar nëse punëmarrësi i ka përmbushur këto detyra. Në qoftë se i referohemi kësaj logjike, atëherë survejimi kompjuterik nuk është i dënueshëm në princip. Megjithatë mbetet të përcaktohen “masat më të drejta” (një e mesme) që të mos preken interesat e askujt. Në një akt nënligjor mbi të drejtën e punës, qeveria zvicerane i ndalon kategorikisht punëdhënësit të kryejë një survejim individual. Dhe në qoftë se megjithatë do të duhen sisteme survejimi për një arsye apo për një tjetër, atëherë ato duhet të ndërtohen në një mënyrë të tillë që të mos cënojnë lirinë themelore të vartësit, atë të jetës së tij private. Në këtë kontekst survejimi i navigimit të Internetit dhe leximi i mail-ve të vartësit nga ana e punëdhënësit nuk janë të pranushëm. Për këtë arsye keyloggers, spywares dhe content scanners nuk lejohen kategorikisht nga ligji zviceran, ai evropian por as nga ai shqiptar. Në nenin 33 Kodi i Punës shqiptar përcakton se: Punëdhënësi, gjatë mardhënieve të punës, nuk duhet të mbledhë informata lidhur me punëmarrësin, përveç rasteve, kur këto informata lidhen me aftësitë profesionale ose janë të nevojshme për zabtimin e kontratës. Për më shumë që në neni 121[9] i Kodit penal shqiptar dënon ndërhyrjen e padrejtë në jetën private.

Në krahun tjetër, ligji zviceran, lejon analizën anonime duke përdorur pseudonime, të skedarëve (file) të historikut. Punëdhënësi mund të nisë një hetim më individual vetëm pas një informacioni paraprak dhe në prani të një konstatimi të keqpërdorimit nga ana e një punëmarrësi. Megjithatë një zgjidhje ideale nuk ekziston. Për çdo rast duhen peshuar mirë interesat e të dyjave palëve. Si në çdo aspekt tjetër, masat parandaluese, duke vënë në dijeni të interesuarit, ngelen strategjia më e mirë për të ruajtur ekuilibrat. Si shembull të këtyre masave parandaluese mund të marrim:

-         Instalimin e antivirus-ve

-         Ndalimin automatik të hapjes së mail-ve nga një prejardhje e dyshimtë (jo të njohur nga systemi)

-         Përdorimi i filtrave që ndalojnë navigimin nëpër URL[10] që mund të jenë burim problemesh

-         Bllokimin e disa llojeve file-sh si për shembull .exe, .mp3 etj.

-         Ndalimin automatik të pjesëmarrjes nëpër forume, chat etj.

Përveç ligjeve të përmendur më sipër, një tjetër mjet për të studiuar ligjëshmërinë e survejimit kompjuterik është dhe Ligji për Mbrojtjen e të Dhënave Personnale. Në këtë pikë kemi një përputhje totale të ligjit shqiptar me atë zviceran dhe evropian. Në nenin 5 të ligjit në fjalë, ashtu siç përcaktohet dhe nenin 4 të ligjit zviceran, mund të gjejmë elementë përgjigjeje përsa i përket mbledhjes së të dhënave nga punëdhënësi si për shembull:

Trajtimi i te dhenave personale bëhet:

-        

-         me një qëllim të përcaktuar, të qartë dhe legjitim;

-         në mënyrë të saktë dhe mbi bazën e të dhënave të azhornuara;

-         pa e tejkaluar qëllimin për të cilin ato trajtohen dhe jo për më shumë kohë nga ç’është e nevojshme për realizimin e qëllimit të trajtimit;

-         … duke përdorur vetëm ato të dhëna që kanë rëndeësi dhe që janë të nevojshme për realizimin e qëllimit të trajtimit.

Për më shumë nenet 12 dhe 13 i japin të drejtën punëmarrësit, për t’u njohur me të dhënat personale që punëmarrësi mbledh për të dhe për të kundërshtuar trajtimin.

Thembra e „Akilit“ mbetet gjithmonë pyetja nëse përmabjtjet e maile-ve mund të survejohen apo jo. Këtu eksperiencat dhe zgjidhjet janë të shumëllojshme. Kalojmë nga një ndalim kategorik i survejimit në Francë, në një kontroll vetëm pas pëlqimit paraprak të punëmarrësit apo vetëm në raste të veçanta në Belgjikë për të arritur në një lejim pa limit siç ështe rasti i Anglisë.

Për mendimin tonë kjo çështje duhet trajtuar sipas përdorimit që punëdhënësi i lejon punëmarrësit. Në rast se përdorimi privat është kategorikisht i ndaluar dhe i komunikuar, atëherë mund të imagjinojmë lejimin e një kontrolli mbi përmbajtjen e mail-ve. Por në më të shumtën e rasteve punëdhënësit nuk kanë një qëndrim të prerë për këtë problem. Në një situatë të tillë kontrolli duhet të bëhet vetëm në rast se kemi të dhëna që abuzimi ekziston.

Përsa i përket cyber-survejimit të vartësve mund të evidencojmë tre principe bazë:

-         Informimin paraprak

-         Transparencë në relacionet kontraktuale

-         Përdorimin e të dhënave që kanë rëndësi dhe që janë të nevojshme, pa e tejkaluar qëllimin për të cilin ato trajtohen.

Origjina e konfliktit cyberslacking-survejim kompjuterik qëndron në faktin që zgjidhja që duhet t’i jepet problemit nuk është vetëm juridike apo vetëm teknologjike. Zgjidhja ideale dhe më e drejta, do të ishte ajo që do gërshetonte teknologjiken me ligjoren në një proçedurë të mirëfilltë manaxhimi extra-profesional. Duhen marrë në konsideratë të tre aspektet e mbarëvajtjes së ndërmarrjes, aspekti manaxherial, organizues dhe human për të siguruar kështu respektin e të drejtave të punëdhënësit dhe të punëmarrësit së bashku.

* I diplomuar në Business School – Lausanne University
Master në drejtësi, kriminalitet dhe siguri të teknologjive të reja
PhD candidate

** Profesor Business School – Lausanne University
Eksperte ndërkombëtare – Unioni Internacional i Telekomunikacioneve


[1] Përdorimi abuziv i Internetit në vendin e punës nga ana e punëmarrësit  jashtë kuadrit profesional.

[2] Burimi : http://www.prweb.com/releases/2003/10/prweb83395

[3] Në Kodin penal Zviceran flitet për: la représentation de la violence (art. 135), l’escroquerie (art.146), la pornographie (art.197), la discrimination raciale (art.261bis) ainsi que les délits contre l’honneur (art.173 ss).

[4] L’employeur est responsable du dommage causé par ses travailleurs ou ses autres auxiliaires dans l’accomplissement de leur travail, s’il ne prouve qu’il a pris tous les soins commandés par les circonstances pour détourner un dommage de ce genre ou que sa diligence n’eût pas empêché le dommage de se produire

[5]utiliser selon les règles en la matière les machines, les instruments de travail, les appareils et les installations techniques … et de les traiter avec soin, de même que le matériel mis à sa disposition pour l’exécution de son travail.

[6] le travailleur s’engage, pour une durée déterminée ou indéterminée, à travailler au service de l’employeur

[7] Ekuivalente e Gjykatës së Lartë në Shqipëri

[8] Neni 79 i Kodit të Punës Shqiptar.

[9] Vendosja e aparaturave që shërbejnë për dëgjim apo regjistrim të fjalëve apo të figurave, dëgjimi, rregjistrimi ose transmetimi i fjalëve, fiksimi, rregjistrimi ose transmetimi i figurave si dhe ruajtja për publikim apo publikimi i këtyre të dhënaveqë ekspozojnë nje aspekt të jetës private të personit pa pëlqimin e tij përbën kundravajtje penale…

[10] Uniform Resource Locator

About these ads
Published in: on 09/04/2010 at 09:43  Leave a Comment  

Leave a Reply

Fill in your details below or click an icon to log in:

WordPress.com Logo

You are commenting using your WordPress.com account. Log Out / Change )

Twitter picture

You are commenting using your Twitter account. Log Out / Change )

Facebook photo

You are commenting using your Facebook account. Log Out / Change )

Google+ photo

You are commenting using your Google+ account. Log Out / Change )

Connecting to %s

Follow

Get every new post delivered to your Inbox.

%d bloggers like this: